Grupi Kastrati po pozicionohet në mënyrë strategjike si një nxitës kryesor i zhvillimit ekonomik në Shqipëri, me plane ambicioze për vitet e ardhshme. Në një intervistë me z. Shefqet Kastrati për revistën ekonomike Monitor, ai shtjelloi investimet e ardhshme të kompanisë, veçanërisht në turizëm dhe energjinë e rinovueshme – dy sektorë që ai i sheh si shumë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
Kastrati Group do të sjellë në Shqipëri dy brande botërorë të hotelerisë, Hyatt Regency dhe Hilton Tirana. Ky partneritet synon jo vetëm të rrisi standardet e mikpritjes në Shqipëri, por edhe të krijojnë mundësi të reja pune në sektorin e turizmit. Z. Kastrati theksoi se sjellja e këtyre markave ndërkombëtare do të rrisë cilësinë e hotelerisë dhe do ta përfshijë Shqipërinë në hartat e hoteleve më prestigjiozë në botë.
Nga ana tjetër, Kastrati Group po bën hapa edhe përtej kufinjve kombëtarë, ku së fundmi ka investuar me blerjen e një hoteli prestigjioz në Miami, një lëvizje e rëndësishme që shënon prezencën e grupit në tregun ndërkombëtar të turizmit. Ky zgjerim pasqyron një vizion strategjik për të diversifikuar investimet dhe për të ngritur profilin e bizneseve shqiptare në një skenë globale. “Ne jemi zgjeruar edhe jashtë vendit duke investuar në blerjen e një hoteli prestigjoz në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për ne ishte shumë e rëndësishme të vendosnim një emër shqiptar. “Dua Hotel Miami”, tashmë renditet ndër emrat më të mëdhenj të hotelerisë në një nga qendrat botërore të Turizmit. Zgjerimin në Miami e konsiderojmë si fillimin e investimeve tona të rëndësishme jashtë vendit dhe një mundësi për rritjen e mëtejshme të grupit,” tha presidenti i grupit.
- Kastrati solli gjithashtu në vëmendje edhe ecurinë e grupit në sektorin e sigurimeve. “Po ashtu edhe sektori financiar ka pasur vëmendjen e grupit, i cili operon tashmë përmes dy kompanive të sigurimit, “Albsig” dhe “Albsig Jetë”, si edhe përmes shoqërive të tjera që ofrojnë mundësi për të diversifikuar investimet, por edhe kursimet, siç janë “Fondi i Investimeve Albsig” dhe ai i pensioneve private.” tha ai.