Një 38-vjeçar ka tentuar që të fusë në vendin tonë nga pika kufitare e Kapshticës, një shumë parash prej 30 mijë eurosh, të pa deklaruara. Blutë njoftojnë se shuma e parave ishte fshehur në kabinën e kamionit që drejtonte, 38-vjeçari, i cili është proceduar.
Njoftimi:
Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, më qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në PKK Kapshticë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, kamioni tip “Volvo”, me drejtues shtetasin G. Gj.. Gjatë kontrolleve, në kasetën e kabinës së kamionit, u gjetën të fshehura 30 000 euro, të cilat shtetasi G. Gj. synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konfrom ligjeve në fuqi.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. Gj., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Gjithashtu, sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumën e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.