Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka dhënë një intervistë eksluzive për Fax News në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për të dënuar me një vit burg deputetin demokrat, Ervin Saliani. Sipas Boçit, ky vendim është personal i kryemninistrit Edi Rama për arsye politike.
Për gazetaren Sedjana Huna, duke iu referuar fakteve të kallëzuara nga deputeti demokrat Salianji në mënyrë permanente, Boçi u shpreh se në Shqipëri dënohet denoncuesi dhe jo narkotrafikanti.
“Vendimi i sotëm është vendim politik. Sot mori formë ligjore padrejtësia e re në Shqipëri dhe jo drejtësia e re. Procesi është i montuar. Ka vite që rregullohet në forma të tilla, megjithëse zoti Salianji ka vite që ka sjellë fakte dhe prova tronditëse për bashkëpunimin e policisë së shtetit. Zoti Salianji solli në pah rrjetin e trafikut të narkotikëve ku janë eksponentët e lartë të partisë socialiste me familjarët e tyre .
Çuditërisht në shtetin shqiptar dënohet denoncuesi i cili artikulon të vërtetën dhe nuk dënohet narkotrafikanti.
Edhe nëse do ishte kallëzim ai është i vërtetuar nga faktet dhe nga provat, ndërkohë që pala tjetër ka sjellë si fakt vetëm dëshminë e manipuluar të ndërtuar nga policia e shtetit të një njeriu që nuk ka asnjë status sigurie dhe vërtetësie për të transmetuar një dëshmi të tillë” tha Boçi.