Mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike e thirrur me urgjencë mbi atë se cfarë pritet të ndodhë pas dënimit të deputetit demokrat Ervin Salianjit nisi me fjalën e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ky i fundit u shpreh se Ervin Salianji bëri denoncimin publik dhe nuk dërgoi asgjë në prokurori, denoncoi Edi Ramën dhe lidhjet me bandat e tij kriminale. Berisha shprehet i cuditur për dënimin e Slianjit i cili foli hapur sa i takon lidhjeve të pushtetit me bandat dhe krimin e organizuar.
Ndër të tjera Berisha u shpreh se tanimë Edi Rama i ka shpallur luftë të hapur Partisë Demokratike dhe opozitarëve teksa theksoi se kjo që i ndodhi Salianjit nuk ka ndodhur as në vitet më të errëta të diktaturës.
“Përshëndes të gjithë anëtarët dhe qytetarët që ndjekin këtë mbledhje të kryesisë së PD, të thirrur me urgjencë pas një ngjarje plotësisht të parashikuar, por të pandodhur që nga vitet më të zeza të diktaturës gjer sot ndonjëherë në Shqipëri.
Sot, deputeti Ervin Salianji, me padinë e narkotrafikantit ndërkombëtar, Geron Xhafa prestanome i Fatmir dhe Edi Ramës, u dënua me një vit burg për guximin që ai tregoi, për detyrimin që ai përmbushi ndaj demokratëve, ndaj qytetarëve, ndaj zgjedhësve të tij, duke denoncuar një lidhje të tmerrshme kriminale, e cila kishte pasoja trafiqe të egra, zhdukje personash, vrasje të njërit prej klaneve më të fuqishme, klanit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Me këtë akt, të dashur qytetarë, Edi Rama shpalli luftë të hapur PD-së, shpalli luftë të hapur opozitarëve dhe mbarë qytetarëve.
Asnjë njeri i ndershëm nuk mund ta konsiderojë ndryshe dënimin e deputetit Ervin Salianji veçse një ndëshkim, një hakmarrje primitive, e verbër e klaneve më të egra mafioze, të cilat midis një prite diku në errësirë, zgjodhën narkoshtetin për t’i dhënë përgjigjen hakmarrëse që mendonin.
Të dashur demokrate e demokratë, sot Geron Xhafa prestanome i Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës, arriti të dënojë deputetin guximtar Ervin Salianji.
Pse? Sepse ai në ndërgjegjen e tij, në idealet e tij, zgjodhi të jetë përfaqësuesi juaj i vërtetë.
Ai zgjodhi midis kokëuljes, midis indiferencës, midis moskokëçarjes, zgjodhi t’i thotë derrit, derr. T’i thotë kriminelit, kriminel.
Pavarësisht se ai ishte vëllai i ministrit të brendshëm dhe byrazer i kryeministrit.
Pra, ky përfaqësues i juaji zgjodhi më të ndershmen ndaj jush. Zgjodhi më dinjitozen, më të guximshmen.
Nuk pranoi t’i arkivojë, por doli në shesh, u tha shqiptarëve se Geron Xhafa drejton trafiqet nga Vlora, ndërkohë që është i dënuar në Itali dhe ka mburojën e vëllait të tij dhe sivëllait Edi Rama.
Nuk shpifi, nuk mashtroi. Ai ishte i dënuar, ai vazhdonte drogën.
Pra, sot Ervin Salianji është i dënuar se në emër tuaj, se për ju, ai guxoi t’i dalë ballë për ballë kreut të krimit në Shqipëri”.