Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, priti në Kryesinë e Kuvendit, një përfaqësi të grave universitare europiane, të cilat ndodhen në Tiranë për promovimin e barazisë gjinore dhe organizumin e konferencës mbi sfidat gjinore në inteligjencën artificiale.
Kryetarja Spiropali nënvizoi se “Shqipëria i ka sfiduar me kohë dhe fuqishëm këto paragjykime gjinore mbi zhvillimin e teknologjive të informacionit dhe inteligjencës artificiale, nëse mbajmë parasysh se një vajzë shqiptare, Mira Murati, është ndër shkencëtaret më të spikatura në nivel botëror në këtë fushë.
Por nuk është vetëm ky fakt. Shqipëria vitet e fundit është bërë kampione e pjesëmarrjes së grave në jetën poliitke, shoqërore, në shoqërinë civile, në ekonomi, tregje, por edhe në zhvillimin teknologjik.
Mjaft sipërmarrje rinore në fushën e teknologjisë, në vend e Diasporë, drejtohen nga gra e vajza. Prandaj ju ftoj të njiheni me realitetet tona, se si gratë dhe vajzat e Shqipërisë po sfidojnë vështirësitë e progresit teknologjik dhe po shndërrohen në lidere në këto procese. Në këtë legjislaturë kemi 50 gra të zgjedhura deputete, të cilat përbëjnë rreth 36 përqind të numrit të deputetëve të Kuvendit. 5 nga 8 komisionet e përhershme të Kuvendit drejtohen prej kolegeve gra. 26 nga 64 ligjvënësit që hynë për herë të parë në Kuvend në këtë legjislaturë janë gra.
Gjysma e anëtarëve të Këshillit të Ministrave, 9 nga 18, janë gra. Suksesi nuk qëndron vetëm te shifrat, por edhe te cilësia e grave të zgjedhura në qeverisjen qëndrore e vendore. Ato shërbejnë me potenciale dijesh, profesionesh, kompetencash, përvojash dhe veprimtarie e karriere politike, të cilat përbëjnë një referencë dhe pasuri për të gjithë shoqërinë.”
Kryetarja Spiropali i njohu pjesëmarrëset në takim me disa arritje dhe aspekte të tjera drejt barazisë gjinore dhe si po adresohen këto çështje në Kuvendin e Shqipërisë.