Strategjia Afatmesme e të Ardhurave 2025-2027 është prezantuar edhe në Këshillin Tatimor nga Ministri i Financave Petrit Malaj.
Një nga pikat kryesore të strategjisë do të jetë goditja e fenomenit negativ të nëndeklarimit të pagave të punonjësve. “Disa prej komponentëve kryesorë të kësaj shtylle lidhen me reduktimin e punës së padeklaruar apo reduktimin e nëndeklarimit të pagës reale, si dhe reduktimin e uljes së pagesave në cash në ekonomi”, tha Malaj.
Ministri tha se inteligjenca artificiale do të ketë një rol të rëndësishëm në luftën kundër informalitetit.
“Komponent kryesor i kësaj shtylle është edhe dixhitalizimi i plotë i sistemit të fiskalizimit, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale, në mënyrë që të rrisim deklarimet si dhe të ulim informalitetin. Normalisht nëpërmjet këtyre instrumenteve ne do të rrisim edhe profilizimin e riskut për tatimpaguesit, si dhe do të mundësohet investigimi i rasteve të shmangies tatimore”, tha Malaj.
Në strategji sqarohet se kundër nëndeklarimit të rrogave të punonjësve do të hartohet një plan i detajuar në bashkëpunim me disa institucione me detyra konkrete, ku do të bëhet i mundur kontrolli i të gjitha kategorive të pagave, ku dyshohet se ka nëndeklarim. Kjo për shkak se prej vitesh prej bizneseve është vënë re deklarimi vetëm me pagë minimale të punonjësve dhe pjesa tjetër jepet në dorë. Qeveria përmes këtyre masave synon të rrisë me 16% deklarimin e pagës reale deri në fund të vitit 2027.
Kjo strategji është hartuar në bashkëpunim me FMN dhe dakordësuar nga BE, dhe synon rritjen e të ardhurave me fokus reduktimin e përjashtimeve tatimore, rritjen e miradministrimit tatimor dhe doganor. Realizimi i këtyre objektivave pritet të sjellë në arkën e shtetit 65 miliardë lekë shtesë deri në vitin 2027