Presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky u shpreh se kandidati republikan për president, Donald Trump, i tha atij se SHBA do të vazhdojë të mbështesë vendin e tij nëse ai zgjidhet këtë nëntor. Zelensky mohoi gjithashtu raportet se ai mbështeti rivalen demokrate të Trump, zv/presidenten Kamala Harris.
Në një intervistë me Fox News të shtunën, udhëheqësi ukrainas tha se ndërsa ai “nuk e di se çfarë do të jetë pas zgjedhjeve dhe kush do të jetë presidenti”, Kievi do të presë “përgjigje… nga Shtetet e Bashkuara.”
Ai theksoi se qëndrimi i Uashingtonit është veçanërisht i rëndësishëm pasi ai ka qenë gjithmonë mbështetësi kryesor i Kievit. Në lidhje me bisedën e tij me Trump të premten, Zelensky e përshkroi atë si “me të vërtetë produktive”.
“Kam marrë nga Donald Trump informacion shumë të drejtpërdrejtë se ai do të jetë në anën tonë, se ai do të mbështesë Ukrainën,” vazhdoi ai. Zelensky shtoi se kandidati republikan ishte “shumë i interesuar” për të dëgjuar “drejtpërdrejt” nga ai për situatën aktuale në vijën e parë, si dhe nevojat e Ukrainës.
Ish-presidenti amerikan ka pohuar se do të jetë në gjendje të detyrojë Zelensky dhe presidentin rus Vladimir Putin të gjejnë një zgjidhje diplomatike “brenda 24 orëve” nga zgjedhja.
Duke folur për revistën New Yorker të dielën e kaluar, lideri ukrainas tha se ai beson se Trump “nuk di vërtet se si ta ndalë luftën, edhe nëse ai mund të mendojë se e di se si”. I pyetur nga prezantuesi i Fox News nëse ai i qëndron ende këtij komenti, Zelensky argumentoi se askush jashtë Ukrainës nuk mund ta kuptojë vërtet se çfarë po kalon vendi i tij.
“Ne të dy duam ta shohim këtë fund, ne të dy duam të shohim një marrëveshje të drejtë,” tha Trump pas takimit të tij me Zelensky të premten.