Pas javës së mbledhjes së nivelit të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka udhëtuar drejt Washingtonit, ku do të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global Kundër ISIS, nën kryesimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në këtë aktivitet, i cili do të drejtohet nga Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken parashikohet të marrin pjesë Ministrat e Jashtëm të 87 vendeve anëtare të Koalicionit për të trajtuar çështje me rëndësi në kuadër të luftës ndaj ISIS.
Takimi i ministrave të jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të Koalicionit Global të luftës kundër ISIS, është një kontribut tjetër i rëndësishëm në orientimin, forcimin, bashkimin e përpjekjeve globale, dhe një përgjigjeje gjithëpërfshirëse dhe të harmonizuar ndaj këtij shqetësimi, me të cilin përballen shoqëritë e vendet.