Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sulmi raketor i Iranit kundër Izraelit dështoi dhe u zotua për hakmarrje.
“Irani bëri një gabim të madh dhe do të paguajë për të”, tha Netanyahu në një takim të kabinetit të tij.
“Regjimi në Iran nuk e kupton vendosmërinë tonë për të mbrojtur veten dhe vendosmërinë tonë për t’u hakmarrë kundër armiqve tanë. Ne do t’i qëndrojmë rregullit që kemi vendosur: këdo që na sulmon, do ta sulmojmë”, shtoi ai.
Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit tha se sulmi të martën ishte hakmarrje për agresionin e Izraelit kundër aleatëve të tij në Liban dhe në Gazë. Ai tha se çdo hakmarrje do të përballej me “shkatërrim të madh”.