Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në një prononcim për mediat pasi doli nga ambientet e SPAK, tha se kishte dorëzuar telefonin e tij. Bardhi tha se SPAK u vu në lëvizje pas denoncimit që ka bërë për shantazhimin përmes bisedave të sajuara.
“Menjëherë sapo jam njohur me këto mesazhe kam vënë në dijeni SPAK, pasi kam menduar se kjo çështje ka të bëjë edje me kredibilitetin e Prokurorisë së Posaçme”, tha Bardhi, duke shtuar se mesazhet me përmbajtje të rreme synonin të shantazhonin një deputet të Kuvendit të Shqipërisë.
Bardhi tha se formati që i është çuar mesazhi i rremë për shantazh nuk ekziston në formatet që SPAK ka, referuar aplikacionit Sky.
“SPAK ka marrë të gjitha të dhënat e nevojshme për të identifikuar edhe autorët e këtij krimi të rëndë.
Nuk kam asnjë dyshim se kush mund të jenë ata që kanë nisur mesazhet, por Qëllimi i tyre ishte shantazhimi i një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë”, tha Bardhi.
Ai ka konfirmuar se i ka vënë në dispozicion prokurorëve Dumani e Shehu telefonin personal, në kuadër të hetimeve që SPAK do të bëjë përsa i takon identifikimit të personave shantazhues.