Ministria serbe e Mbrojtjes ka reaguar ndaj deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se forcat e ushtrisë serbe janë afruar rreth 50 metra afër kufirit në ditën e shtunë, duke thënë se “autoritetet e sigurisë”, kanë ndërprerë “kontrabandën me drunj të prerë ilegalisht”. Në një komunikatë të lëshuar më 13 tetor, autoritetet serbe kanë akuzuar Kurtin për “vazhdim të fushatës dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”.
“Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”, është thënë në njoftim.
Mes tjerash është përmendur që zyrtarë ushtarakë që shihen nëpër fotografi kanë qenë duke parandaluar kontrabandën.
“Autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”, është thënë në reagim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën mbrëma se Serbia ka provokuar sërish, “duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën”, më saktësisht afër Komunës së Kamenicës. Duke shpërndarë disa fotografi në Facebook, Kurti ka thënë se trupat ushtarake serbe janë larguar pasi kanë vërejtur se autoritetet e Kosovës i kanë incizuar veprimet e tyre.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”.
Ky postim i Kurtit është bërë pak javë pas shënimit të përvjetorit të parë të sulmit në Banjskë të Zveçanit. Në shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb, e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.
Në këmbim e sipër të zjarrit, më pas, janë vrarë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajëson Serbinë për organizim dhe kryerje të sulmit, por Beogradi i mohon të gjitha. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj tij dhe dhjetëra personave tjerë, që besohet se janë të lirë në Serbi. Tre prej tyre janë të arrestuar në Kosovë. Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra.
Mbi 60 për qind e kësaj vije përfshin komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Një pjesë e mirë është zonë me terren të vështirë, të pabanueshëm. Dy vendet e kanë arritur marrëveshje për menaxhim të integruar të kufirit në dhjetor të vitit 2011.
Për Kosovën vija kufitare është kufi, për Serbinë vijë administrative. Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës.
Megjithatë, sipas një vendimi të vitit 2014 të komandantit të KFOR-it atëbotë, Policia mund të patrullojë në vijën kufitare Kosovë-Serbi deri në 1 kilometër afër vijës ndarëse. Aktualisht KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë. NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe./REL