39-vjeçari me origjinë nga Shqipëria, Armiol Rrasa, i cili u arrestua së bashku me partneren e tij gjatë një kontrolli të rastësishëm nga policia në Greqi, i është caktuar masa e paraburgimit, raportojnë mediat greke. Partnerja e tij u lirua me kusht që të paraqitej një herë në muaj në komisariat.
Në automjetin e tyre, policia gjeti një armë, detonatorë dhe lëndë plasëse. Sipas informacioneve, 39-vjeçari ka pretenduar se pistoletën dhe plumbat i kishte për t’u mbrojtur për shkak të një hakmarrjeje të vjetër. Ai gjithashtu pretendoi se nuk e dinte se mbante eksploziv, i cili i përkiste një personi tjetër.
Nga ana e saj, partnerja e 39-vjeçarit mësohet se ka deklaruar se nuk kishte dijeni për armën dhe lëndën plasëse në makinë.