Anija italiane e rojes bregdetare që pritet të transferojë 12 emigrantët nga qendra e Gjadrit drejt Italisë ka mbërritur në Portin e Shëngjinit mëngjesin e sotëm. Nga Gjadri drejt portit të Shëngjinit, 12 emigrantët do të transportohen me një autobus nën masa sigurie, të ngjashëm me atë që tre ditë më parë i çoi në qendrën e akomodimit.
Gjykatës së Romës mori vendimin ditën e djeshme për kthimin drejt vendit fqinj të 12 emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi të cilët tashmë do të jenë në pritje të procedurave në Itali. Urdhrat e lëshuara në dy javët e fundit bazohen në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila më 4 tetor ripërcaktoi kriterin e “vendit të sigurt” duke vendosur kufizime të rrepta për mundësinë e riatdhesimit të emigrantëve në vendet e tyre të origjinës. Çështja e shqyrtuar në Luksemburg kishte të bënte me një shtetas moldav i cili mbërriti në Republikën Çeke dhe ndaj tij ishte aktivizuar procedura e dëbimit.
Ndërkohë, sipas vendimit të Gjykatës së Romës, Egjipti dhe Bangladeshi konsiderohen vende të pasigurta dhe për këtë arsye emigrantët duhet të qëndrojnë në Itali. Masa u urdhërua për 12 të huajt, të cilët janë pjesë e 16 emigrantëve, 10 nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, të transportuar drejt Shqipërisë nga anija ‘Libra’ e marinës italiane. Katër të tjerët ishin kthyer në Itali me një varkë patrullimi pasi dy u deklaruan të mitur dhe dy të tjerë raportuan probleme shëndetësore.