Tre persona të shpallur në kërkim për vepra penale të ndryshme janë arrestuar ditën e sotme. Mësohet se tre personat ishin shpallur në kërkim për vepra penale si “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”; “Vjedhja”; dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Gjithashtu materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policsë:
Në zbatim të masave të përcaktuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit” për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, u finalizua nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Catch 3”. Kapen dhe ndalohen 3 shtetas në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në zbatim të masave të hartuara në kuadër operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e tre shtetasve në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat gjatë kontrolleve u kapën shtetasit:
– M. H., 41 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 6 muaj burgim për veprën penale “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”;
– R. D., 36 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 2 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”;
– G. R., 48 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 1 muaj burgim për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Materialet i kaluan Prokurorisë.