Kishte të fshehura në makinën e tij “Fiat” mbi 15 kilogramë kokainë të pastër, arrestohet korrieri shqiptar. Policia italiane ka finalizuar një operacion më 23 Tetor në Bolonja, ku u prangos një 27-vjeçar me banim në zonën e Milanos. Ishte aksioni i rastësishëm i një patrulle të Policisë Rrugore të Bolonjës, përgjatë autostradës A14, pranë zonës së shërbimit Pioppa Ovest, që çoi në zbulimin e ngarkesës.
Vlera e mallit të sekuestruar sipas raportimeve nga media e vendit fqinj, shkon në mbi 1 mln euro. Pakot kishin nën mbështjelljen me natriban edhe “markat” e tyre të stampuara, kryesisht me një kalë të vizatuar me shkronjën “R” në cep dhe kartëmonedhën amerikane të prerjes 100 USD.
Hetuesit besojnë se këto shenja dalluese i përkisnin grupeve të destinuara për t’u dorëzuar ngarkesa. I riu ka qenë duke udhëtuar me një “Fiat Tipo”, kur sistemi i leximit të targave të policisë ka konstatuar ndaj tij një borxh tatimor mbi 25 mijë euro. I ndaluar për një kontroll të plotë, burri u shfaq nervoz, duke nxitur oficerët të vazhdonin me kontrolle të mëtejshme, raporton “BolognaToday”.
Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan një ndarje të fshehur në bagazhin, e aksesueshme vetëm duke çmontuar disa pjesë të makinës, shkruan “Rai News”. Brenda kishte 14 blloqe kokaine, me peshë mbi 1,1 kg secila (15,6 kg në total). Droga e destinuar për trafik do të sillte në treg nëse shitej me doza dhe prerje një me tre, disa milionë euro. Shqiptari u arrestua dhe u transferua në burgun e Bolonjës.