Një grup që vidhte makina në kryeqytet u godit nga Policia e Tiranës ditën e sotme. Aktiviteti kriminal bëhej kryesisht në zonën e Yzberishtit, kurse operacioni ka marrë emrin e koduar “GLK”, teksa ndau edhe pamjet e vjedhjes, të filmuara nga një kamera sigurie.
Policia bëri me dije sot (1 Nëntor) se ka arrestuar 3 persona të dyshuar, një e shpalli në kërkim, kurse një tjetër po hetohet për moskallëzim krimi. Gjithashtu është zbardhur edhe dinamika e vjedhjes së fundit të një automjeti. Aksioni u krye nga Komisariati nr. 6 në Kombinat. Të arrestuarit janë shtetasit; Ambri Taga, 27 vjeç, Arlindo Taga, 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe Kostandin Bregu, 33 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “vjedhja”.
“Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. T., 27 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “moskallëzimi i krimit”, dhe po punohet për kapjen e shtetasit D. T.”, njoftoi policia. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se më datë 9 tetor 2024, Ambri Taga, 27 vjeç, ka vjedhur një automjet tip “Benz”, në një garazh në rrugën “Tre Dëshmorët”, në Yzberisht. Bashkëpunëtori Arlindo Taga, 29 vjeç, e ka shoqëruar me një automjet tjetër para, si dhe pas kryerjes së vjedhjes ka shoqëruar automjetin e vjedhur dhe kanë lëvizur të dy automjetet bashkë.
“Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Kostandin Bregu, ka dashur që t’i shesë automjetin e vjedhur shtetasit A. T., i cili dhe pse ka pasur dijeni që automjeti është i vjedhur, nuk e ka kallëzuar atë pranë organeve kompetente”, sqaroi policia. Dosja për rastin i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, teksa po verifikohet edhe për krime të tjera të ngjashme të këtij grupi.