Ishte kthyer në shqetësimin e pronarëve të mjeteve dhe dyqaneve, Policia e Sarandës ka zbuluar dhe arrestuar sot (1 Nëntor) autorin e dyshuar të vjedhjeve në seri, të ndodhura ditët e fundit në qytetin bregdetar. U ndalua Elvis Zoto, 37 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “vjedhja”. Policia zbuloi edhe pamjet e plaçkitjeve të kryera, të filmuara nga kamerat e sigurisë.
Vjedhjet bëheshin edhe gjatë ditës, ku i riu u afrohej automjeteve të parkuara dhe pasi studionte rrugën, arrinte të merrte çantat duke u larguar nga vendngjarja.
“Nga veprimet hetimore, dyshohet se ky shtetas, më datë 31 tetor, në rrugën “Abedin Dino”, ka vjedhur një çantë krahu nga automjeti i shtetasit S. M., ndërsa një ditë më parë, në të njëjtën rrugë, ka vjedhur 2 celularë nga automjeti i shtetasit A. Sh. Gjithashtu, dyshohet se më 29 tetor ka vjedhur disa produkte në një supermarket në lagjen nr. 4”, tha policia vendore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit, për të hetuar rastet dhe përfshirjen e të dyshuarit në krime të tjera.