Kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, Kamala Harris, i është drejtuar me një letër të hapur komunitetit shqiptaro-amerikan, ku ndër të tjera vlerëson lidhjet e forta të shqiptarëve me SHBA-në.
Në letrën e saj ajo thekson ndihmën amerikane për Pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen që do të vazhdojë të japë, nëse do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.“Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribute të çmuara për kombin tonë për breza të tërë, duke treguar një përkushtim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe luftës për liri. Janë qindra mijëra shqiptarë amerikanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe qëndrueshmëria e komunitetit shqiptaro-amerikan vazhdon. për të na frymëzuar të gjithëve”, shkruan në letrën e saj Kamala Harris.
Ajo vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të shqiptaro-amerikanëve, të cilët thonë se tashmë shqiptarët nga punëtorët, nga bizneset e vogla, kanë arritur në profesione të ndryshme, në mjekësi, në drejtësi, dhe kudo në shërbimet publike.
“Shqiptarët amerikanë kanë kontribuar thellësisht në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, vlerat e forta familjare dhe përkushtimin e thellë ndaj arsimit dhe angazhimit qytetar. Nga pronarët e bizneseve të vogla te profesionistët në mjekësi, drejtësi dhe shërbime publike, shqiptarët amerikanë kanë luajti një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave në të gjithë vendin.
Për më shumë se një shekull, duke filluar nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, amerikanët dhe shqiptarët kanë një lidhje të veçantë. Edhe sot shqiptarët e Amerikës kujtojnë se ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që qëndruan pranë në atë moment të rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë.
Dua të konfirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleate e qëndrueshme e NATO-s dhe unë i jam mirënjohës Shqipërisë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në muajt pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia”, vijon Harris.
“Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr gjithashtu aleatët dhe partnerët evropianë për të mbështetur pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike dhe demokratike, të integruar plotësisht në bashkësinë ndërkombëtare.
Unë i kuptoj sfidat unike në vendin tonë me të cilat përballen shumë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe jam i përkushtuar ndaj politikave që fuqizojnë këtë komunitet, duke përfshirë luftën për një ekonomi të mundësive dhe mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë. Pjesëmarrja e shqiptarëve amerikanë në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Së bashku ne mund të formojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta”, theksoi Harris.
“Faleminderit për gjithçka që kontribuoni për këtë vend të madh”, përfundon letrën e saj, nënpresidentja amerikane, e cila pret votën e qytetarëve amerikanë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen të martën më 5 nëntor.