Në Apelin e Posaçëm është zhvilluar ditën e sotme senaca për Laert Haxhiun, i dënuar me burgim të përjetshëm për “masakrën e Lushnjes”. Avokati i Leart Haxhiut, Detar Hysi, në seancë ka kërkuar riçeljen e shqyrtimit gjyqësor, pasi sipas tij SPAK nuk ka bërë veprime hetimore.
‘Prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim hetimor. Kjo vlen edhe për prokuroren e posaçme, që ka kryer 0 veprim hetimor, në akuzën qe vlerësohet në këtë proces. Ka kryer vetëm 3 veprime procedurale jo të karakterit hetimor’, tha ai. Ndërkohë, Laert Haxhiu është shprehur se po dënohet pa fakte. ‘Po dënohem pa të drejte dhe pa fakte. Jam dakord me kërkesën e avokatit’, tha ai.
Avokati Detar Hysi kërkojë që të konsultohet me klientin e tij në ambientet e burgut 313, për vazhdimin e mbrojtjes, gjë të cilën gjykata e ka pranuar dhe i ka dhënë kohë. Seanca është ndërprerë dhe është shtyrë për në datën 13 nëntor ora 10.00. Të pranishëm në sallë ishin prokurorët Altin Dumani dhe Doloreza Musabelli, ndërsa gjyqi u ndoq edhe nga babai i Haxhiut.
Leart Haxhiu ka apeluar vendimin e shkallës së parë që vendosi burg përjetë në mungesë për 32 vjeçarin, i akuzuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut. Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme më 24 prill të këtij viti, për atë që është cilësuar si “Masakra e Lushnjes”, ngjarje e shënuar në vititn 2017, ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.
Dënimi ndaj tij u dha për kryerjen e një sërë veprash penale si “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.