Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq me akuzën për “shpërdorim detyre”, ish-Presidentin e Urdhrit të Stomatologut Nikoll Deda.
Sipas njoftimi zyrtar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Nikoll Deda i akuzuar për krimin ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr.1630 të vitit 2024, provuan se shtetasi në fjalë në në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njërëzve pa kriter, familjarë të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016.
Nga hetimi, rezultoi se me veprimet/mosveprimet e tij shtetasi Nikoll Deda krijoi një “klimë posedimi privat” duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale, qoftë për sa i përket administrimit të buxhetit të urdhrit të stomatologut në nivel qarku, qoftë përsa i përket pajisjes me licencë të stomatologeve për ushtrim individual profesioni.
Në shkelje flagrante të vendimeve gjyqësore dhe parashikimeve ligjore, nëpërmjet strukturave të Urdhrit të Stomatologut, ai vijoi veprimtarinë edhe pse u pezullua nga detyra, duke marrë vendime të rëndësishme si blerjen e një godine në vlerë 700.000 euro me sipërfaqe 350m2 dhe marrjen e një kredie prej 250.000 euro me qëllim ‘blerje ambientesh’.
Me veprimet e tij shtetasi Nikoll Deda ka shkelur vetë qëllimin e ligjit nr.127/2014 i cili është të rregullojë marrëdhënien juridike dhe etiko-profesionale të stomatologëve, si dhe ka krijuar një klimë ‘posedimi privat’ duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonalë përsa i përket administrimit të buxhetit në nivel qarku apo të pajisjes me licencë të stomatologëve për ushtrim individual profesioni.
Pavarësisht se është marrë i pandehur dhe është aktualisht në proces gjyqësor i akuzuar për nenin 320 të Kodit Penal në një tjetër procedim, ka ndërmarrë veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së.
Sa më sipër, prokuroria vendosi që çështjen ta dërgojë në gjyq pasi akuza dhe fakti janë tërësisht të provuara për krimin e parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.