Fëmijët e zonës së Kopshtit Zoologjik dhe Kodrës së Diellit (Lagjja 13) kanë një çerdhe të re, një godinë 3-katëshe, me kushte më të mira, e konceptuar për pesë grupmosha. Çerdhja u hap nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ambasadorja e Izraelit, Galit Peleg. Godina është përshtatur si çerdhe me ndihmën e Ambasadës së Izraelit në Tiranë.
Në fjalën e tij, Veliaj nënvizoi se numri i kopshteve dhe çerdheve të reja të hapura në 9 vitet e fundit ka arritur në 108. “Është një gëzim i jashtëzakonshëm që hapim sot çerdhen tonë të 108-të. Urbanizimi ka ndodhur kaq shpejt dhe vrullshëm, ndaj ajo që po bëjmë në këto lagje, përfshirë Njësitë 12, 13 dhe 14, është që po marrim ndërtesa ekzistuese me qira. Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli, të cilët na kanë ndihmuar për ta hapur çerdhen në kohë rekord, çka me procedura normale do të merrte shumë kohë. Ajo që kemi bërë është se kemi marrë një vilë me qira dhe me ndihmën e Ambasadës së Izraelit kemi bërë të gjitha rregullimet dhe punimet e infrastrukturës, për të pasur një super çerdhe me një super staf”, tha Veliaj.