E shtuna e 16 nëntorit, është një ditë historike për Kishën Katolike Shqiptare dhe besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe Kosovë pasi do të shpallen martirë dy klerikët, Dom Gjon Gazulli dhe At Luigj Paliq.
I pari i dënuar me varje nga Ahmet Zogu dhe i dyti, prifti nga Kosova, i vrarë nga ushtria malazeze pasi nuk pranoi të konvertohej në besimin ortodoks.
Të pranishëm në meshën e shenjtë që drejtohet nga i deleguari i Papa Françeskut, janë qindra besimtarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Kroacia si dhe drejtues të lartë të politikës në Shqipëri dhe Ballkan.
Oficeri i ngarkuar per varjen e dom Gjonit, Xhemal Dibra e ka treguar per nje reviste gjermane me detaje ekzekutimin e Gazullit dhe nder te tjera ai thote: Tash u çil dera e burgut, e u nisëm. Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten të dy me za të naltë, por unë muejta me vu ore se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time. Kishim arrijtë te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes.
Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndritte thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me përcjellë edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij Prifti. Ai ishte me të këputme i pafaj. Këte e dijshim të gjithë. Por, urdhni! Unë, sikur asht zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja! Ai nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash shkurt: Zotni, s’duem me ndje predke! Foli fjalët e mbrame. Mjaft!
Atëherë Ai çoi zanin edhe ma e tha: Vetë po vdes i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”.
Na ishim të gjithë të përmalluem fort. Lexova vendimin e dekës. I qe veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ishte dita e 5 marsit 1927”.