Ish-zyrtari i NATO-s Nicholas Williams ka reaguar pas vendimit të presidentit amerikan Joe Biden për të hequr kufizimin për përdorimin e armëve amerikane nga ana e Ukrainës kundër Rusisë. Ai tha se ky është një hap i rëndësishëm.
Williams tha për Sky News se kjo lëvizje e bërë nga ana e Biden është e rëndësishme kur është fjala për pozicionin e Ukrainës, që të mos bëjë kompromise me territorin e saj në raport me shtetin rus.Kujtojmë se sot presidenti amerikan Joe Biden i ka dhënë dritën jeshile Ukrainës që të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA për të goditur Rusinë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar prej muajsh që kufizimet për raketat me rreze të gjatë veprimi të hiqen, duke lejuar Ukrainën të synojë vendndodhje brenda Rusisë.
“Kjo është një lëvizje domethënëse. Ukrainasit mund të thonë se është pak vonë, por se është tepër mirë të ndodhë diçka e tillë në një moment kritik”, tha Williams.
Ndër të tjera, ai tha se edhe telefonata e bërë mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit rus Vladimir Putin tregoi se lideri i Rusisë nuk ishte i gatshëm që të bëjë hapa pas, me qëllim për të pasur paqe.
I pyetur se çfarë do të bënte tani Britania e Madhe, ai shtoi: “Starmer donte të tërhiqej dhe tani ai në mënyrë të pashmangshme do të vendosë të miratojë raketat me rreze të gjatë që sulmojnë objektivat ruse në afërsi të kufirit.” Sipas tij, Kievi do të synojë objektiva ushtarake “të cilat mund të kenë ndikim në kufi ose në betejë”.