Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka reaguar ndaj komenteve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kuti se gjuha shqipe në atë vend nuk është zyrtare. Bashkimi Demokratik për Integrim ua ka dërguar qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera shtetërore në Prishtinë përmbajtjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërsa i bën thirrje zotit Kurti që të mos vihet në shërbim “të asnjë përpjekje që cenon barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve”. Ndërkohë, eksperti ligjor Mersim Maksuti thotë se shqipja është zyrtare në Maqedoninë e Veriut, por se nuk ka gjetur përdorim të gjerë dhe jo e barabartë me gjuhën maqedonase.
Opozita shqiptare në Maqedonië ne Veriut është shprehur e shqetësuar pas deklaratës së djeshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë zyrtare.
Bashkimi Demokratik për Integrim i quan të pavërteta dhe të papranueshme pohimet e zotit Kurti. BDI-ja përmes një komunikate bën të ditur se ua ka shpërndarë përmbajtjen e plotë të Ligjit, Qeverisë së Kosovës, Parlamentit dhe organave të tjera të larta shtetëtrore në Prishtinë. Partia thekson se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, i miratuar si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, e njeh qartë dhe garanton përdorimin e gjuhës shqipe si një gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë themelore e shqiptarëve.
“Çdo pretendim i kundërt është një shtrembërim i fakteve dhe një mungesë e respektit ndaj arritjeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, nënvizon partia shqiptare e opozitës në Shkup.
Eksperti i çështjeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, Mersim Maksuti në një bisedë me Zërin e Amerikës shpjegon problemin e përfolur gjatë, nëse është ose jo gjuha shqipe zyrytare në Maqedoninë e Veriut:
“Këtë çështje e përcakton më qartë vet kushtetuta e vendit, amandementi i pestë i saj, i cili tregon se gjuhë zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut është gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik i saj, po në të njejtën kohë kushtetuta, amandementi i pestë, njeh si gjuhë zyrtare dhe gjuhën e qytetarëve të cilët e flasin 20%. Vetë ky fakt do të thotë se gjuha shqipe që e flasin 20% është gjuhë zyrtate. Por, çështja është se kushtetuta njeh gjuhën zyrtare në mënyrë të kufizuar, në situata të caktuara. Kushtetuta nuk njeh përdorimin e gjuhës shqipe me trajtim dhe status të njejtë me gjuhën maqedonase; ajo kufizon të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe, të shtetit në komunikim me shtete tjera; ajo kufizon të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjithë territorin e republikës”, thekson eksperti.
Nisma për rishikimin e Ligjit për përdorimin e Gjuhëve nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut është ngritur mes tjerash nga VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Gjykata pritet brenda një të ardhme të afërt të vendos nëse do të shfuqizojë nene të caktuara të ligjit. Gjykata mbështetet tek këshillat e Komisionit të Venecies që thotë se Ligji është vështirë i zbatueshëm në procedurat gjyësore, e po ashtu në monedha, në uniformat e policisë e të zjarrfikësve.
Ndërsa partitë shqiptare të koalicionit “Vlen” fajësojnë BDI-në për çështjen e Ligjit të gjuhëve dhe ndajnë qëndrimin me Gjykatën Kushtetuese, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, kundërshtojnë çdo përpjekje që cenon barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve.
Ligji për përdorimin e Gjuhëve hyri në fuqi vitin 2019 dhe avancoi dukshëm përdorimin e gjuhës shqipe por nuk gjeti zbatim të gjerë në më shumë fusha. /VOA