Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se shumë shpejt do të nis projekti për ripërtëritjen e zonës së Ujërave Termike të Bënjës. Rama teksa përcolli pamje të projektit të ri, theksoi se pavarësisht dëmtimeve, vizitorët dhe turistët janë shtuar vit pas viti.
“Projekti i ri i ripërtëritjes së një destinacioni krejt special të krijuar nga natyra e të dëmtuar nga dora e robit, Ujërat Termale të Bënjës, ku pavarësisht dëmtimeve, vizitorët dhe turistët janë shtuar vit pas viti, e ku ky projekt që nis së shpejti do të krijojë kushtet për ta shijuar deri në fund atë bukuri të rrallë”, u shpreh Rama.
Ujërat Termike të Bënjës në Përmet konsiderohen si më të mirat në Evropë.
Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe Banjat e Bënjës, gjenden 14 kilometra larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 kilometra larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës.
E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është, 26 ¬ 32°C. Një vit më parë, e përditshmja britanike “The Guardian”, i renditi ato nëntë ujërave termale më tërheqëse natyrore në Evropë, në një artikull të saj.