Ministrat e jashtëm të G7 bëjnë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” në Liban, ndërsa kabineti i sigurisë i Izraelit po përgatitej të diskutonte një marrëveshje armëpushimi të Hezbollahut.
“Ne mbështesim negociatat e vazhdueshme për një armëpushim të menjëhershëm midis Izraelit dhe Hezbollahut”, thanë ministrat në një deklaratë.
“Tani është koha për të përfunduar një zgjidhje diplomatike.” Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha se një “dritare mundësish” po hapej, duke shtuar se ai shpresonte që të përfshirët ta shfrytëzonin këtë mundësi.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Ndër çështjet kryesore që kanë penguar marrëveshjen ka qenë kërkesa e Izraelit për ta pasur të drejtën për të vepruar, nëse Hezbollah i shkel detyrimet e tij.
Sipas propozimit, mijëra trupa libaneze dhe paqeruajtës të OKB-së do të vendoseshin në jug, dhe një panel ndërkombëtar i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara do ta mbikëqyrte zbatimin e marrëveshjes nga të gjitha palët.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se ushtria do ta sulmojë Hezbollahun nëse forca paqeruajtëse e OKB-së, e njohur si UNIFIL, nuk ofron “zbatim efektiv” të marrëveshjes.
Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në fillim të luftës në Gaza.
Në muajt e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit. Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.
Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 3.760 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.
Raketat e Hezbollahut kanë vrarë të paktën 50 njerëz në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, sipas autoriteteve izraelite.