Në Elbasan në 1 dhjetor 1909 u hap Shkolla “Normale”, shkolla e mesme e parë shqipe. Shkolla “Normale” është cilësuar si arritja më kulmore e Arsimit Shqiptar e cila u shndërrua në një Institucion arsimor, edukativ, studimor me përmasa kombëtare.
Në përputhje të plotë me detyrat e përcaktuara në Kongresin e Manastirit në datat 2-9 Shtator 1909 në shkollën dreke të Kalasë së Elbasanit u mbajt Kongresi i Elbasanit ku u morën vendime të rëndësishme në lidhje me sistemin e shkollimit shqip, hartimin e programeve unike, braktisjen nga nxënësit shqiptarë të shkollave të huaja greke e turke, përzgjedhjen e dialektit të Elbasanit si modeli standard i shqipes dhe themelimin e një shkolle normale laike.
“Normalja” e Elbasanit, hapi dyert tre muaj më pas, pikërisht në 1 dhjetor 1909.
Ajo është shkolla e parë e arsimit profesional arsimor në gjuhën shqipe, e krijuar në bazë të vendimeve të Kongresit të Elbasanit. Në ditët e sotme shkolla “Normale” quhet “Luigj Gurakuqi” për vetë faktin se drejtuesi i parë i saj ka qenë Luigj Gurakuqi. Ajo gjatë një shekulli ka nxjerrë breza të shumtë arsimtarësh nga çdo qytet e fshat i Shqipërisë. “Normalja” e Elbasanit mbetet institucioni i parë i përgatitjes së mësuesve në mbarë hapësirën shqiptare e më gjerë.
“Normalja” e Elbasanit është shkolla e parë e këtij lloji dhe universiteti i parë shqiptar i përgatitjes së mësuesve që i dha kombit emër, dritë, liri dhe dituri. Nga kjo shkollë kanë dalë figura të njohura jo vetëm nga Elbasani, por nga e gjithë Shqipëria e Kosova.
Ka përgatitur për të gjitha trojet shqiptare mijëra mësues, të cilët zgjuan, mbrujtën dhe edukuan rininë shqiptare me ndjenjat më të forta për atdheun, arsimin dhe përparimin.
Sot për fat të keq është zhdukur identiteti i saj, si institucioni që bëri epokë në arsimin shqiptar dhe qe kthyer në simboli i qytetit të Elbasanit për lidhjet e tij me arsimin e shkollën shqipe. “Normalja” e Elbasanit tashmë është kthyer nga një shkollë për përgatitjen e mësuesve, në një shkollë të zakonshme dhe është shkolla më e madhe profesionale në historinë e arsimimit të shqiptarëve që është e mbyllur në kohën e Demokracisë.