Seanca plenare në Kuvend u tensionua gjatë interpelancës me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, pasi deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, vendosi pankarta proteste në foltore. Mesazhet si “Drejtësi për Luisin”, “Drejtësi për Martinin” dhe “Ogerta jep dorëheqjen” dominuan Kuvendin.
Manastirliu refuzoi të merrte fjalën derisa pankartat të largoheshin, duke deklaruar se ato binin ndesh me rregullat e etikës parlamentare. Pas disa minutash tensioni, shërbimet e Kuvendit ndërhynë dhe hoqën pankartat nga foltorja, duke i hapur rrugë vijimit të seancës.
Zhupa e kritikoi këtë veprim, duke e quajtur një akt të censurës dhe mungesë dëshire për t’u përballur me shqetësimet reale të qytetarëve. Seanca vijoi me debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.