Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ishte në një takim koordinues me drejtuesit e institucioneve të pavarura për grup-kapitullin e parë të negociatave me BE, “Themeloret”.
Gjatë fjalës së tij, ministri Manja tha se “koordinimi dhe bashkëpunimi i secilit prej ekspertëve në këtë proces bën që ne ta përmbyllim në kohë këtë proces, atë që i hapi rrugën kësaj faze për të cilën jemi mbledhur sot. Një moment reflektimi për sfidat dhe angazhimet që na lindin në këtë proces të tanishëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ministria e Drejtësisë drejton, por ju kontribuoni me ekspertizën tuaj më të mirë. Ky grup-kapitull është shtylla themelore dhe një parakusht nga ku varet hapja dhe mbyllja e kapitujve të tjerë në negociatat me BE-në”, tha ai.
Ministri Manja e cilësoi këtë proces plot sfida, por u bë i mundur realizimi i 33 prezantimeve me tematika të ndryshme dhe pjesëmarrjen e delegacioneve me 98 përfaqësues nga institucionet e drejtësisë në vend.
“Mobilizimi dhe cilësia e organizimit sidomos për këto dy grup-kapituj demonstruan qartë se ne e kemi kuptuar që integrimi është një proces gjithëpërfshirës që drejtohet nga ekzekutimi, por kërkon një rol proaktiv nga legjislativi, gjyqësori dhe institucionet e pavarura. Për këtë ne u vlerësuam maksimalisht nga Komisioni Evropian, suksesi u kurorëzua me marrjen e raportit screening brenda gjashtë muajve nga mbyllja e takimeve bilaterale dhe me negocimin e piketave hapëse përmes miratimit të udhërrëfyesit për shtetin e së drejtës në dhjetor të 2023, që përmban 391 masa që i referohet Kapitullit 23, që u vlerësua si një dokument ambicioz dhe brenda pritshmërive të KE”, vijoi ai.
Ministri i Drejtësisë u shpreh se në koordinim me drejtuesit e këtyre institucioneve u angazhuan në hartimin e dokumenteve strategjikë që do ta udhëheqin Shqipërinë në vijim të punës me grup-themeloret.
“Miratuam udhërrëfyesin për funksionimin e institucioneve demokratike, punuam për strategjinë ndërsektoriale të drejtësisë, u miratua një dokument strategjik që ka të bëjë me pozicionin negociues për Shqipërinë, për të cilin kemi rënë dakord që të jetë konfidencial. Shqipëria miratoi strategjinë për mbrojtjen e viktimave të krimit, jemi vendi i parë në rajon që kemi një strategji të tillë. Në proces miratimi i strategjisë ndërsektoriale antikorrupsion që pritet të miratohet shumë shpejt. Axhenda e reformave dhe plani i rritjes janë një tjetër angazhim, ndaj këto dokumente janë themeli për të forcuar shtetin demokratik dhe atë së drejtës.”
Manja theksoi se përpara janë shumë sfida, që nisin nga janari i vitit të ardhshëm.
“Kemi përpara sfidën për realizimin e piketave të ndërmjetme, që janë parakusht kryesor për të vijuar me negociatat për të gjithë kapitujt e tjerë. Do t’i përgjigjemi pozitivisht këtij procesi me një qasje proaktive dhe një bashkëpunim të shpejtë, që nga janari 2025 do të jenë të përjavshme. Realizimi i këtyre piketave janë parakusht për disa arsye: për mbylljen e kapitujve të tjerë dhe për çuarjen e Shqipërisë brenda kësaj dekade në dyert e BE-së. Por, kanë edhe efekt financiar. Nga realizimi i tyre varet disbursimi i fondeve për vendin tonë në kuadër të axhendës së 920 milionë eurove në total, dhe nëse plotësohen reformat e ndërmarra brenda 2025, buxheti i shtetit do të përfitojë 87 milionë euro. Totali i shumës për 23 masat ku jemi angazhuar do t’i sjellë buxhetit të shtetit 172 milionë euro. Ky proces sfidues ka edhe një stimul të tillë nga Komisioni Evropian”, cilësoi Manja.
Ai tha se “sa i takon 23 masave lidhur me drejtësinë, Gjyqësori ka 4 piketa të ndërmjetme: Për zbatimin në vazhdimësi të reformës në drejtësi; forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies nëpërmjet përmbylljes së rregullt të procesit të vetting-ut; përmirësimin e cilësisë së gjyqësorit, duke përfshirë uljen e ndjeshme të çështjeve të prapambetura dhe rritjen graduale të efikasitetit dhe performancës së gjykatave dhe prokurorive dhe promovimin e shërbimeve cilësore të drejtësisë. Realizimi i tyre kërkon angazhimin e drejtëpërdrejtë të institucioneve të drejtësisë (KLGJ, KLP, PP, ILD, SHM, organet e vetting-ut e SPAK)”.
“Antikorrupsioni ka 3 piketa të ndërmjetme me fokus: Rritjen e kapaciteteve operacionale dhe konsolidimin e burimeve financiare dhe njerëzore; mbajtjen e një historiku solid hetimesh, procedimesh dhe dënimesh në çështjet e korrupsionit, veçanërisht dënime të formës së prerë për korrupsionin e niveleve të larta dhe forcimin e efikasitetit të kuadrit për parandalimin e korrupsionit ku kërkohet angazhim i drejtëpërdrejtë i organeve ligjzbatuese, (PP, SPAK, Gjykatat e posaçme) ILDKPKI, MAPA, AMP, etj”, vijoi Manja.
“Të drejtat e njeriut kanë 7 piketa të ndërmjetme për sa i përket forcimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore si: mbrojtja e të dhënave personale dhe të drejtës për informim; Forcimin e lirisë së shprehjes dhe lirinë e medias; përafrimin legjislativ me acquis-in e BE-së për mosdiskriminimin, barazinë gjinore dhe luftën ndaj dhunës me bazë gjinore, dhe ofrimin e mekanizmave efikasë për kompensimin dhe ndihmën ndaj viktimave; Përforcimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve; krijimin e një sistemi efikas dhe transparent të regjistrimit dhe menaxhimit të integruar të pronës që ofron tituj të qartë dhe të sigurt pronësie dhe drejt një shërbimi plotësisht të dixhitalizuar; garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare si dhe përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së për garantimin e të drejtave të qytetarëve të BE”, nënvizoi ai.