Ndërkohë që për biznesmenin e vrarë, Irakli Davella, policia dhe prokuroria vendëse kanë informacione të shumta në lidhje me shënjestrën tjetër, për shkak të ndërrimit të identitetit, nuk kanë pasur fakte dhe prova.
Por gjetja e emrit të vërtetë ka bërë që skeda kriminale e Hysës të jetë thuajse e ngjashme me atë të Davellës, ndonëse hetuesit jo vetëm që nuk kanë shkuar tek autorët, por ende nuk kanë një pistë konkrete, ku të gjurmojnë shkaqet e atentatit që tronditi Athinën.
Dyshohet mes të tjerash se krimi të jetë kryer edhe për larje hesapesh mes grupeve shqiptare, ndërkohë që po hetohen edhe disa vrasje të tjera, që ende nuk kanë autor. Mediat greke dje kanë bërë me dije se atentatorët kanë qëlluar mbi të dy shqiptarët, pasi ata kanë qenë në një distancë të largët me njëri-tjetrin, duke lënë të kuptohet se informacioni për praninë e tyre bashkë ka qenë i saktë dhe vrasësit kanë pasur për qëllim eliminimin e të dyve.
DETAJET E REJA
Media greke ka zbardhur të tjera detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur të dielën në Athinë, ku mbeti i vrarë 47-vjecari shqiptar Irakli Davella dhe u plagos rëndë 46-vjecari Edi Lulo alias Etmond Hysa.
Nga këqyrja dhe analizimi i vendit të ngjarjes rezulton se në momentin e të shtënave, Irakli Davella dhe Edi Lulo ndodheshin në distancë nga njëri-tjetri, por të dy janë goditur nga të shtënat me armë.
Kjo i ka bërë hetuesit të dyshojnë se që të dy kanë qenë objektiv i atentatorëve që hapën zjarr nga makina dhe më pas u larguan në drejtim të paditur. Ndërkohë media greke ka zbuluar se nga kontrolli në arkivat e saj, policia ka zbuluar se Edi Lulo ka qenë i skeduar si Etmond Hysa qysh në vitin 2004 në Greqi. Fillimisht në prill 2004 ka marrë pjesë në grabitjen gjatë një transferte parash në Palio Faliro, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagos një roje i kompanisë “Security”.
Në korrik të të njëjtit vit ka marrë pjesë një tentativë grabitje gjatë një transfertë parash në zonën e Rentit, ku pati shkëmbim zjarri me policinë, por sërish arriti të largohej. Ngjarja më e rëndë që ai njihet është ajo e prillit 2011 në Dhomën e Avokatisë Athinë ku bashkë me 2 të tjerë, grabiti rreth 405 mijë euro, ndërsa në një ngjarje tjetër më vonë mori pjesë në grabitjen e pajisjeve me vlerë 110.000 euro në një klinikë mjekësore në Pagrati të Athinës, të cilat grupi kishte në plan t’i sillte në Shqipëri.
Policia greke mësohet se ka vendosur kontakte dhe po shkëmben informacion me palën shqiptare, nga e cila është informuar për profilin tepër të rrezikshëm dhe të rëndësishëm në grupet kriminale shqiptare të Edi Lulos, për të cilin ka dyshime se është i përfshirë në organizata të trafikut ndërkombëtar të drogës. Ai kishte mbërritur në Greqi në 9 dhjetor, pas një fluturimi nga Duseldorfi në Gjermani, ndërkohë që vetë banon në Dubai.