Nga tatimi mbi të ardhurat personale u arkëtuan 60,1 miliardë lekë në buxhet gjatë periudhës janar-nëntor. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave në raportin mbi të treguesit fiskale, të ardhurat nga ky zë rezultuan 7,2 miliardë lekë ose 13,6% më shumë se 11-mujori 2023, si dhe 857 milionë lekë ose 1,4 % më shumë se plani i 11-mujorit 2024.
Rritja e të ardhurve nga ky zë lidhet direkt me politikën e qeverisë për rritjen e pagave.
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale në buxhetin e vitit 2025 parashikohen 70,040 milionë lekë, me rritje prej 5,6 miliardë lekë ose 8,7% më shumë se pritshmëritë për vitin 2024.
Baza e të ardhurave për vitin 2024 është ulur me rreth 500 milionë lekë (one off), e cila ka qenë e ardhura nga tatimi mbi fitimin e profesioneve të lira.
Mbi këtë bazë, në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale janë marrë në konsideratë rritja e të ardhurave që gjeneron rritja ekonomike, efektet e reformës së pagave në sektorin shtetëror që filloi më 1 korrik 2024, rritja e të cilave do të gjenerojë të ardhura shtesë nga tatimi mbi pagat.
Po ashtu ndikim pritet të japë edhe rritja e numrit të punëmarrësve dhe pagës mesatare në sektorin privat, i cili parashikohet të ndjekë ritmin e rritjes së pagave në sektorin shtetëror, si dhe rritja e të ardhurave nga mirëadministrimi nga zbatimi i masave në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave për vitin 2025, drafti i së cilës pritet të miratohet së shpejti.
Discussion about this post