Snajperisti ukrainas Oleksandr Matsievsky u kap nga rusët në vitin e parë të pushtimit të vendit në shkallë të gjerë. Muaj më pas, u shfaq një video që tregonte atë duke pirë cigaren e fundit në një pyll, me sa duket pranë një varri që ai ishte detyruar të gërmonte.
“Lavdi Ukrainës!” u thotë ai personave që e zunë rob. Pak çaste më vonë, dëgjohen të shtëna dhe ai bie i vdekur.
Ekzekutimi i tij është një nga shumë të tjerë që e pasuan. Në tetor të këtij viti, nëntë ushtarë të kapur ukrainas thuhet se u qëlluan për vdekje nga forcat ruse në rajonin e Kurskut. Prokurorët ukrainas po hetojnë rastin duke përfshirë një foto që tregon trupa gjysmë të zhveshur të shtrirë në tokë. Ka mjaftuar kjo foto që një nga viktimat, operatori i dronëve Ruslan Holubenko, të identifikohej nga prindërit e tij.
Lista e ekzekutimeve vazhdon. Prokurorët ukrainas po hetojnë raportet për prerje koke dhe një shpatë që është përdorur për të vrarë një ushtar ukrainas me duart e lidhura pas shpine. Në një rast tjetër, një video tregoi 16 ushtarë ukrainas duke u rreshtuar me sa duket dhe më pas pritenin me armë automatike pasi dolën nga një pyll për t’u dorëzuar.
Rusia dhe Ukraina kanë liruar disa të burgosur, përfshirë këtë ukrainas të fotografuar pas lirimit të tij në shtator 2024
Disa nga ekzekutimet u filmuan nga vetë forcat ruse, ndërsa të tjerat u vëzhguan nga dronët ukrainas që fluturonin sipër.
Vrasjet e kapura në video të tilla zakonisht ndodhin në pyje ose fusha pa tipare dalluese, gjë që e bën të vështirë konfirmimin e vendndodhjes së tyre të saktë, shkruan BBC.
Prokuroria ukrainase thotë se të paktën 147 të burgosur ukrainas të luftës janë ekzekutuar nga forcat ruse që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë, 127 prej tyre këtë vit.
“Tendenca në rritje është shumë e qartë, shumë e dukshme,” thotë Yuri Belousov, kreu i Departamentit të Luftës në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.
“Ekzekutimet u bënë sistematike nga nëntori i vitit të kaluar dhe kanë vazhduar gjatë gjithë këtij viti. Fatkeqësisht, numri i tyre ka qenë veçanërisht në rritje këtë verë dhe vjeshtë. Kjo na tregon se ato nuk janë raste të izoluara. Ato po ndodhin në zona të gjera dhe ato kanë shenja të qarta për të qenë pjesë e një politike – ka prova që udhëzimet për këtë qëllim janë duke u lëshuar.”
E drejta ndërkombëtare humanitare, veçanërisht Konventa e Tretë e Gjenevës, ofron mbrojtje për të burgosurit e luftës dhe ekzekutimi i tyre është një krim lufte.
Rachel Denber, Zëvendës Drejtoresha e Divizionit të Evropës dhe Azisë Qendrore në Human Rights Watch, thotë se nuk ka mungesë të provave që mbështesin pretendimet se të burgosurit e luftës ukrainas janë ekzekutuar nga trupat ruse. Sipas saj, mosndëshkimi luan një rol kyç dhe ushtria ruse ka disa pyetje serioze për t’iu përgjigjur.
Deri më tani, nuk ka asnjë indikacion që tregon se Rusia po heton zyrtarisht pretendimet se forcat e saj kanë ekzekutuar të burgosur të luftës ukrainas. Edhe përmendja e akuzave të ngjashme dënohet me burgim të gjatë në Rusi.
Sipas Vladimir Putin, forcat ruse i kanë trajtuar gjithmonë të burgosurit ukrainas të luftës në përputhje të rreptë me dokumentet ligjore ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare. Forcat ukrainase janë akuzuar gjithashtu për ekzekutimin e të burgosurve rusë të luftës, por numri i pretendimeve të tilla ka qenë shumë më i vogël.
Yuri Belousov thotë se prokuroria ukrainase i trajton këto akuza “shumë seriozisht” dhe po i heton ato, por deri më tani askush nuk është akuzuar. Sipas Human Rights Watch, që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022, forcat ruse kanë kryer një seri shkeljesh, duke përfshirë ato që duhet të hetohen si krime lufte ose krime kundër njerëzimit.