Drejtoria e Përgjithshme Detare (DPD) doli sot me një njoftim mbi kushtet e përkeqësuara hidrometeorologjike në vendin tonë.
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar gjatë ditës së sotme, sipas njoftimit të DPD, duke filluar nga ora 08:00, datë 23.12.2024, detet Adriatik dhe Jon do të jenë nën ndikimin e erërave të fuqishme me drejtimin jug-juglindje dhe veri-veriperëndim në forcën deri 6-7 bft, me shpejtësi ere deri 15-20 m/s dhe lartësi dallge deri 3,3 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
Sipas njoftimit të DPD, “është e ndaluar pajisja me leje-nisjeje të mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit, të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 08:00 e ditës së sotme. Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit, të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre”, thuhet në njoftimin e DPD.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 16:00 të ditës së martë.