Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët ndërkombëtarë në Itali dhe Kroaci, ka realizuar sot ekstradimin e gjashtë shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali dhe në Kroaci, u finalizuan procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve: U ekstradua në Itali, shtetasi Shpëtim Memolla, 52 vjeç, pasi Gjykata e Apelit e L’Aquilas e ka dënuar me tetë vjet e tetë muaj burgim, për trafikim të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim për prostitucion, të kryer në kuadrin e organizatës kriminale; U ekstradua në Itali, shtetasi Gentian Kadillari, 46 vjeç, pasi Gjykata e Apelit e Ankonës e ka dënuar me 5 vjet, 11 muaj e 3 ditë burgim, për vjedhje në rrethana rënduese, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve.
Gjithashtu, u ekstradua në Itali shtetasi F. Ll., 28 vjeç, pasi Gjykata e Milanos i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për prodhim dhe shitje narkotikësh, të kryer në kuadrin e grupit kriminal; U ekstradua në Itali, shtetasi E. G., 45 vjeç, pasi Gjykata e Milanos i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për trafikim të lëndëve narkotike, të kryer në kuadrin e organizatës kriminale.
Sipas Interpol Tiranës u ekstradua nga Kroacia, në Shqipëri, shtetasi O. Sh., 19 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vitin 2023, e ka dënuar 1 vit e 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe u ekstradua nga Italia, në Shqipëri, shtetasi Sh. T., 30 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar 6 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.