Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose dhe kryetari i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha nënshkruan sot një marrëveshje dypalëshe që synon riintegrimin social të të dënuarve që kanë kryer masën e dënimit dhe u krijohet një mundësi punësimi për një fillim të ri në komunitet dhe familje.
“Bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qosen, kemi kënaqësinë t’ju përcjellim marrëveshjen e rëndësishme që nënshkruam, për të ndihmuar të dënuarit që të riintegrohen në shoqëri, duke i mbështetur për të gjetur punë dhe për të kontribuar në familjet e tyre, por edhe në komunitet. Ky bashkëpunim mes institucioneve synon të krijojë një sistem mbështetjeje efektiv, duke i dhënë të dënuarve një mundësi reale për një fillim të ri dhe për një jetë të qëndrueshme në komunitet”, tha Dredha.
Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, u shpreh se “kjo marrëveshje lidhet me rehabilitimin dhe riintegrimin social për të gjithë të dënuarit që kanë qenë në një konflikt me ligjin që rikthehen në shoqëri për një jetë më të mirë, të cilët aktivizohen me një punë në bashki dhe vijnë në shoqëri në një formë më të mirë të mundshme”.