Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se Millan Radoiçiç ka dhënë urdhrin për kryerje të sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa shteti i Serbisë ka përgjegjësi për financim, planifikim dhe logjistikën e sulmit.
Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se këto deklarata i bazon në të dhënat e inteligjencës.
Sipas tij, përkrahja që i ofron Beogradi zyrtar, atij që e ka quajtur grup terrorist të Millan Radoiçiçit, nuk mund të quhet ndryshe, pos koordinim i shtetit serb me këtë grup për të intensifikuar luftën hibride kundër Kosovës.
“Sulmi i 29 nëntorit në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve dhe sulmeve terroriste, dhe aktiviteteve tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe. Duke marrë parasysh se akte të tilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale në diversion, dhe faktin se Millan Radoiçiç përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë, vlerësohet se edhe shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë”.
Sipas tij, sulmi ka qenë e pamundur të kryhet nga grupi i Radoçiçit, pa e pasur mbrapa shtetin serb.
Kurti e ka prezantuar një kronologji të 15 sulmeve, që sipas tij, e kanë pasur synim për të dëmtuar Kosovën “në mënyrë terroriste” nga 30 qershori deri më 29 nëntor të këtij viti, dhe që kanë kulmuar me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Kanali i Ibër-Lepencit është sulmuar më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Kurti ka thënë se Radoiçiç – që aktualisht besohet se është në Serbi i lirë – ka autorizuar persona për të kryer sulme në Kosovë disa herë gjatë vitit.
Millan Radoiçiç është në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi e ka pranuar organizimin dhe kryerjen e sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
Si pasojë e këtij sulmi, që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Serbia, në anën, tjetër, hedh poshtë këto akuza./REL