Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një vizitë në Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë me rastin e festës së Krishtlindjes.
Në një prononcim për mediet pas vizitës të Katedralja Katolike e Shën Palit, Spiropali tha se “harmonia fetare duhet të jetë një shembull edhe për politikën për të qëndruar larg gjuhës së përçarjes dhe urrejtjes”.
‘Krishtlindja është një festë e bekuar për të gjithë. Harmonia fetare është një pasuri e paçmuar e Shqipërisë dhe është një arsye për të cilën ne krenohemi. Harmonia fetare, një shembull dhe për politikën për të ndenjur larg gjuhës së përçarjes dhe urrejtjes. Të kenë një Krishtlindje të bardhë dhe të bekuar. Mesazhi më i ngrohtë shkon për gratë, fëmijët, të sëmurët, për ata që ndjejnë se duhet të kenë pranë një dorë të ngrohtë. Kjo është dita e mesazhit të dashurisë së madhe që përmes lartësimit shpirtëror, ne mund të kemi në botën tonë, një jetë më të paqtë dhe të begatë”, tha Spiropali.
Besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e shënuar në kalendarin e festave fetare, ditën e lindjes së Jezu Krishtit, ndërsa katolikët mbajnë meshën mesnatën e sotme ndërsa besimtarët ortodoksë mblidhen në kishë ditën e nesërme, për t’ia lënë vendin më pas festimeve familjare.