Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaron se është optimist se Serbia do të dorëzojë kryeterroristin Milan Radojiçiq në rast se Perëndimi e sanksionon destruktivitetin e Serbisë. Sipas tij, kjo është mënyra për të vepruar me Beogradin, porse thekson se Kosova nuk ka levë ëpr ta përdorur kundër Serbisë.
Kreu i ekzekutivit shton se inteligjenca e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë janë vigjilente karshi dhe Serbisë për shkak të synimeve të saj destabilizuese, derisa shprehet i bindur se “ato sulme nuk mund të planifikohen më në Kosovë, nuk mund të iniciohen përbrenda Kosovës.”
Për dezinformatat serbo-ruse që vijnë në drejtim të vendit dhe të Qeverisë së Kosovës, Kurti thotë se janë shpifje në përputhje me fantazinë e tyre.
“Ata vazhdimisht shpifin në përputhje me fantazinë e tyre, ata do dëshironin që të kishte një sulm ndaj serbëve civilë në mënyrë që këtë ta përdorin për pretekst, për agresionin e ushtrisë së tyre, mirëpo pikërisht për shkak se nuk eksiton një gjë e tillë, atëherë edhe më shumë bëjnë propagandë. Shpeshtimi dhe sforcimi i propagandës së tyre është dëshmi që e njëjta nuk po ka sukses, prandaj edhe po rritet intensiteti”, thotë Kurti.
Gjatë këtij mandati të Qeverisë Kurti, Kosova u përball me dy sulme të mëdha në veri të vendit, agresioninnë Banjskë të Zveçanit dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc.
Për këtë të parin, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, përgjegjësinë e mori i kërkuari i INTERPOL-it, Milan Radoiçiq. Për të, Kurti thotë se “e ka konfliktin në liri.”
“Kriminelët e llojit të tillë e kanë konfliktin si liri. Kur nuk ka konflikt, ata ndihen të cenuar, paqja nuk i leverdisë. Kriminelëve iu leverdisë konflikti, trazirat, destabilizimi, pasiguria, lufta, gjakderdhja. Në ato momente ata ndihen të lirë, prandaj edhe zhvillojnë aksione të tilla sporadike terroriste, të cilat janë edhe shprehje e pafuqisë së tyre, duke qenë se nuk e kanë nën kontroll veriun e Kosovës krejt çfarë mund të bëjnë është të planifikojnë ndonjë sulm që na cenon dhe na bën dëm neve”, thotë ai.
Së fundi, kryeministri Kurti pati deklaruar se Radojiçiq ka angazhuar dy serbë të njohur me nofkat “Mami” dhe “Gandi”, për sulme në veri.