Enti Rregullator i Energjisë është mbledhur sot për të shqyrtuar çmimin e ri të energjisë elektrike.
Në këtë mbledhje u diskutua dhe u miratua kërkesa e OSHEE për ulje të çmimit të energjisë.
Drejtori i Tarifave i OSHEE tha se çmimet për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 KWH do të jetë 8.5 lekë, ndërsa për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi në 700 KWH çmimi do të jetë 9.5 lekë.
“Propozojmë që për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 KWH, çmimi të jetë 8.5 lekë. Ndërsa për ata që shpenzojnë nga 701 KWH e më tej, çmimi do të jetë 9.5 lekë për KWH. Të gjitha çmimet e tjera për secilën kategori konsumatorësh të mbeten të pandryshuara”, tha drejtor i Tarifave i OSHEE.
Pas miratimit në bordin e ERE pritet që prej datës 1 shkurt të këtij viti të nisë ulja e çmimit të energjisë elektrike, që prek vetëm kategorinë e konsumatorëve familjarë, çka do të thotë se për bizneset, institucionet buxhetore dhe jobuxhetore apo për furrat e bukës nuk do të ketë ndryshime.
Enti Rregullator i Energjisë nisi dje shqyrtimin e aplikimit për çmimin e shitjes me Pakicë për Klientët e Shërbimit Universal për periudhën 1 shkurt-31 dhjetor 2025 për të përcaktuar dhe nivelin e ri të tarifave.
Çmimi aktual që paguajnë familjet shqiptare për energjinë është 9.5 lekë, pa TVSH apo 11.4 lekë, me TVSH.
Ndryshimi i tarifave që paguajnë familjet për energjisë elektrike u paralajmërua nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku është bërë me dije se vendimi bazohet në performancën pozitive të kompanive publike të energjisë.