Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Dritan, alias Gramoz Rexhepin, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020. Rexhepi u ekstradua dy ditë më parë nga Turqia, ku ishte ndaluar prej disa muajsh.
Gjatë procesit gjyqësor, Rexhepi, përmes avokatit të tij, ka deklaruar se mbahet në burg pa asnjë provë konkrete. Në Shqipëri, ai përballet gjithashtu me një proces të hapur për vjedhjen e një sasie droge, një çështje për të cilën SPAK është duke kryer hetime. Dosja për këtë rast është ndarë në disa pjesë dhe përfshin disa të akuzuar të tjerë.
Ndër të akuzuarit kryesorë për çështjen e rrëmbimit dhe vrasjes së Prengës është Festim Bexhdili, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm. Procesi vijon gjithashtu për Gentjan Funiqin, Martin Bletën, Korado Keshtejanin, Artan Doçajn, Aldo Majnishtën dhe Geraldo Martinin.
Sipas prokurorisë, Jan Prenga u rrëmbye për t’i bërë presion vëllait të tij, në mënyrë që të kthehej një sasi prej 283 kilogramësh kokainë, e cila mbahej në Angli. Pavarësisht kërkesave të grupeve kriminale, lënda narkotike nuk u kthye.
Pas rrëmbimit të Prengës, mes palëve u zhvilluan bisedime, por, sipas hetimeve, për shkak të debateve mes grupeve kriminale, dyshohet se Prenga u vra dhe trupi i tij u zhduk. Hetimet për këtë ngjarje vijojnë.