Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me demokratët e Pogradecit. Duke u shprehur se Në 34-vite, PD u faktua lokomotivë e zhvillimit, e nxjerrjes së Shqipërisë nga izolimi, e integrimit të saj në institucionet euroatlantike
Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt ju, demokrateve dhe demokratëve të Pogradecit të pranishëm në këtë sallë. Të gjtihë demokratëve dhe demokrateve të këtij rrethi dhe mbarë pogradecarëve në Pogradec dhe kudo që janë.
Një përshëndetje drejtuesit politik të qarkut, deputetëve, kryetarit të Partisë Demokratike dhe kënaqësinë e veçantë që, sot kremtojmë së bashku 34-vjetorin e themelimit të forcës politike.
Natyrisht, çdo përvjetor dhe ky përvjetor është një moment që ne të përulemi me nderimin më të madh para atyre djem dhe vajzave, gra dhe burra që 34-vite më parë në kushte, e vërteta është, terrori të shumëanshëm, firmosën dhe themeluan këtu partinë Demokratike si parti të idealeve të lirisë, si parti të dinjitetit njerëzor, si parti të interesit kombëtar të shqiptarëve.
Partia Demokratike ishte forca e parë politike, ndofta jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë që themelohej nga qytetarët shqiptarë. Në rast se, partia tjetër që qeverisi 45 vite Shqipërinë u themelua në Tiranë nga Beogradi, kjo është e vërteta, por përsëri, duart e tjerëve nuk kishin munguar edhe para saj.
Kjo parti u themelua nga studentët, liberatorë, nga intelektualë, nga punonjës, nga punëtorë në vendin më të izoluar të planetit dhe realisht u themelua pra, si partia e idealeve më fisnike, më të larta të qytetarëve më të shtypur, siç ishin qytetarët shqiptarë.
Në 34-vite, Partia Demokratike u faktua lokomotivë e padiskutueshme e zhvillimit, e nxjerrjes së Shqipërisë nga izolimi, i integrimit të saj në institucionet euroatlantike. Ajo shënoi arritje epokale, përveç përmbysjes së diktaturës, me votën e lirë.
Duke shmangur një konflikt të mundshëm civil, ajo hodhi bazat e ekonomisë së tregut, të iniciativës së lirë së qytetarëve në vendin më hiperkolektivist të Europës. Hapi Shqipërinë ndaj botës, bëri hapat më seriozë drejt integrimit në BE, anëtarësoi Shqipërinë në KE dhe në NATO.
Partia Demokratike arriti në vitin 2008 që Shqipërinë, e cila ishte zvarritur jo në 10 vjeçar, po ndoshta edhe në shekuj në varfëri dhe mjerim, ta nxjerrë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Arriti që shqiptarët në kohëra, qytetarët më të keqpaguar të shndërrohen në qytetarët më të mirëpaguar, me rrogat dhe pensionet e tyre.
Arriti të transformojë në tërësi infrastrukturën e vendit. Padiskutim që, ajo pati gabimet e veta, pati mossukseset e veta, por një gjë nuk duhet të harroni kurrë; trashëgimia e saj janë arritjet që përmenda, janë gabime, por nuk janë kurrë krime.
Nuk janë burgjet, nuk janë ekzekutimet, nuk janë kampet e përqendrimit, nuk janë tirania e urisë që vendosi partia tjetër mbi shqiptarët, nuk janë tirania e izolimit që ajo vendosi dhe kjo duhet të jetë e qartë.
U ndala këtu për të thënë se, kurrë ne nuk jemi njëlloj, jo! Askush nuk duhet të pranojë se ne jemi njëlloj.