Kryedemokrati Sali Berisha ka marrë pjesë në 34 vjetorin e themelimit të PD në Lezhë. Para simpatizantëve të kësaj force politike, lideri demokrat tha se idealistë në kushte të rënda terrori, morën përsipër të themelojnë në Lezhën e Besëlidhjes, të firmosin një besë të re, një besë me demokracinë, me vlerat më të larta njerëzore, me lirinë, me dinjitetin njerëzor, me interesin kombëtar.
Sipas Berishës, edhe pse shumë diktatura ranë njëra pas tjetërës nëpër botë, e vërteta është se për Shqipërinë jo të paktë ishin ata që mendonin, që ajo të mbetej si Kuba në brigjet e Adriatikut. Po, për kryedemokratin, ky nuk ishte mendimi i studentëve në Tiranë, i demokratëve të Lezhës dhe mbarë Shqipërisë.
Të dashur miq!
Mblidhemi sot për të përkujtuar një datë në të cilën lezhjane e lezhjanë guximtarë, idealistë në kushte të rënda terrori, morën përsipër të themelojnë në Lezhën e Besëlidhjes, të firmosin një besë të re, një besë me demokracinë, me vlerat më të larta njerëzore, me lirinë, me dinjitetin njerëzor, me interesin kombëtar.
34 vite më parë, në Lezhë u themelua partia e idealeve më fisnike të shqiptarëve, idealeve të lirisë, vlerave më të arrira të njeriut, familjes, atdheut, besimit tek Zoti. Të gjitha këto në një mënyrë apo një tjetër të përjashtuara nga regjimi stalinist i Enver Hoxhës për gjysëm shekulli.
34 vite më parë, e vërteta është se, u nda historia, u ndanë epokat, dhe duhet të themi, shqiptarët të cilët ishin indoktrinuar, ishin shtypur, kishin vuajtur më shumë se çdo komb tjetër nga izolimi, nga tirania e varfërisë, vendosën të dalin kundër këtij regjimi. Në këtë kontekst secili nga ju duhet të jetë krenar me atë trashëgimni. Ai ishte një akt madhor guximi.
Vetëm 3 muaj më vonë nga themelimi i PD, kam qenë në Paris në Samitin e Bashkimit Demokrat Europian. Në atë samit në komunikatë është cilësuar Enver Hoxha, si Hitleri shqiptar i pasluftës, kurse prania e Sali Berishës, simboli i asaj çfarë ka arritur Europa. Sepse në rast se në vende të tjera diktaturat ranë njëra pas tjetër, e vërteta është se për Shqipërinë jo të paktë ishin ata që mendonin, le të mbetet si Kuba në brigjet e Adriatikut, në mënyrë që të tjerët, duke parë atë, një vend të uritur, të mos e ëndërrojnë më socializimin në Europë.
Por ky nuk ishte mendimi i studentëve në Tiranë, i demokratëve të Lezhës dhe mbarë Shqipërisë.
Kanë kaluar 34 vite, pra sigurisht që ne duhet të bëjmë një vëzhgim në trashëgimninë tonë. Nëse forca tjetër ka trashëgimni krimin, terrorizmin, gjenocidin ndaj shqiptarëve, ka trashëgimni rivendosjen e diktaturës së drogës, krimit dhe vjedhjeve, pas 30 vitesh në rrugën e lirisë, PD ka trashëgimni transformimin e Shqipërisë nga një vend hipekolektivist në vendin e qytetarit të lirë, të iniciativës së lirë, pronës private.
Nga vendi më i izoluar në vendin e hapur, ndaj miqve në të gjithë botën, vendin e anëtarësuar në Këshillin e Europës, vendin që eci drejt BE-së dhe u anëtarësua në NATO.
PD ka dhe një trashëgimni tjetër të shkëlqyer. Kjo trashëgimni konsiston se për herë ndoshta në shekuj, Shqipëria doli nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, në vitin 2008 dhe përfundoi në vitin 2013 vendi i qytetarëve më mirë të paguar në rajon. Më mirë se dhe dy vende anëtarë te BE-së që ishin Bullgaria dhe Rumania.