Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh sot përmes një deklarate për mediat, se Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e ngritur nga 37 deputetë të PD kundër ligjit “Për Zonat e Mbrojtura”, duke e konsideruar atë një ligj që shërben vetëm për interesat e oligarkëve.
Sipas Zhupës, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare, duke kundërshtuar ligjin që lejon ndërtimet në këto zona, të cilat, sipas saj, dëmtojnë interesin publik dhe përputhshmërinë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe Konventën e Bernës.
Deputetja Zhupa theksoi se ky ligj është në shërbim të interesave të grupeve të lidhura me pushtetin, duke cenuar shtetin e së drejtës dhe barazinë para ligjit.
“Ligji i Zonave të Mbrojtura ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në pikën e saj dhe në parimet e saj të solidaritetit shoqëror, që supozon se brezat e ardhshëm duhet të jenë më mirë se sa brezat aktualë, dhe duhet të ruhet pasuria e përbashkët për t’ju trashëguar atyre. Zhvillimin e qëndrueshëm, i cili nuk mbrohet duke shkatërruar dhe betonizuar Zona të tëra të Mbrojtura që janë në shërbim të publikut dhe duke i kthyer në shërbim të një oligarku të caktuar të lidhur me pushtetin. Ligji nuk mbron interesin publik dhe interesin e qytetarëve, por vetëm interesin e Edi Ramës, miqve të tij, të cilët duan të ndërtojnë atje ku tashmë ishte e ndaluar me ligjin paraprak”, u shpreh Zhupa.
Sipas deputetes së PD, “në Shqipëri me investimet strategjike janë ndërtuar 5.8 milionë m2 tokë në bregdet, në vija bregdetare, nëpër zona të rëndësishme të Shqipërisë”.
“Thënë këtë shifër do të thotë se, nuk ka më ku të ndërtohet përveçse të hysh në Zonat e Mbrojtura, dhe këta që janë sjellë si terroristë ambientalë, do të duan që të hyjnë dhe kanë hyrë me këtë ligj brenda Zona të Mbrojtura”, tha Zhupa.