GJENERAL PIRO AHMETAJ
Paraprakisht falënderoj përzemërsisht mediat në RSH, Kosovë, Rajon, USA etj., për publikimin (vetëm nga kapaciteti i ekspertit të sigurisë kombëtare, rajonit dhe USA/NATO-s, pra pa asnjë funksion zyrtar apo politik), të disa dhjetëra kontributeve strategjike, përfshi edhe mesazhet e fundvitit 2024 nga Uashingtoni mbi 5 kërcënimet thelbësore: “Demokracia burokratike, përpjekjet dëshpëruese të Putinit për të hapur një front të ri lufte; riciklimi i frikshëm i garës së armatimeve; agjenda bolshevike e përjetësisë së pushtetit të politikanëve/Dodik-ëve të korruptuar, si dhe pritshmëritë nga Trump-2 për paqen dhe ardhmërinë euroatlantike të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi RSH dhe Kosovën”.
Në vijim po ndaj një përmbledhje të dedikuar rreth: “Krizës më të rëndë të pluralizmit dhe demokracisë prej 1990; shtetit të kapur nga korrupsioni i politikanëve të lartë; privatizimi i pluralizmit; fuqia elektorale/kriminale e mbipushtetit” si dhe misioni jetik i shqiptarëve në zgjedhjet 11 majit-2025:
Së pari, në vend të përgjegjësive kushtetuese, Parlamentit i ka mbetur vetëm protagonizmi delirant i Kryetares së radhës (jolegjitim, pasi K.K nuk është pushtet, por vetëm speaker/moderatore) për të rehatuar kalërimin e “Skënderbeut të Madhërishëm” në mandatin e 4-t, 5-të, pse jo të përjetshëm!
Thënë shkurt, Kuvendit ka zero peshë dhe vlerë (përveç borderosë së pagave për të emëruarit e radhës në Kuvend), pasi në 12 vitet që lamë, asnjë rezolutë, marrëveshje dhe ligj (përveç ligjit për listat e mbyllura…) nuk është miratuar me konsensus. Ndërsa si dëshmitar teknik i procesit të integrimit në NATO mund të përmend se me 10-ra, në mos qindra ligje, rezoluta dhe marrëveshje konsensuale si dhe delegacione të përbashkëta në samite, Bruksel, Uashington etj., përgjatë 1999-2013.
Pra, përtej fjalimeve (d)elekuente, djegies së karrigeve, sharmit të profileve burokratike dhe bejteve folklorike, praktikisht kanë rënë misioni kushtetues i Kuvendit, balancat demokratike të pushteteve (Check & Balance), bashkë me këto ka rënë Republika Parlamentare e RSH! Gjithsesi, problemi nr.1 i “kësaj derexheje mbetet heshtja cinike e inteligjencës, tallavaja e të gjithëditurve nëpër studio ose port-hale si dhe duartrokitjet e socialistëve me “kockë”, kontribute dhe integritet të spikatur”!
Patjetër që nuk është vetëm fenomen shqiptar. Prandaj po citoj “Foreign Policy”: “Përveç pritshmërive nga Trump-2, viti 2025 do të dominohet nga beteja globale midis demokracisë burokratike dhe autokracisë”! Besoj që as kolegu/miku im (AC), Fred Kempe, as “Foreign Policy” nuk u referohen Rusisë, Iranit, Kinës, Kim-Jongut etj., por: “Një liste shtetesh me demokraci të dështuar, të kapura nga korrupsioni dhe me qeverisje autokratike”, ku fatkeqësisht është rreshtuar edhe Republika e Shqipërisë.
Së dyti, më duhet ta theksoj që në fillim që sigurisht nuk jam gjykatës të shpall “kush e ka fajin apo kush është i pafajshëm”, por as pronar dhe as profet i së vërtetës shteruese se: “Kush është djalli, kush engjëlli”. Por, ngaqë kam vite që kam vetëvendosur për të mos heshtur, po ndaj këtë shqetësim ulëritës për pluralizmin/demokracinë fasadë (shumë më qesharak se bashkimet profesionale që ofroi Ramiz Alia në 1990), çka në gjykimin tim mbetet qendra e gravitetit të krizës politike, pra e shtetit të dështuar si dhe besimit të shqiptarëve te vlerat e demokracisë funksionale dhe ardhmëria Euroatlantike e vendit.
Veçanërisht pas 2008, kryetarët e gjithëpushtetshëm dhe shtetarët/emëruarit e radhës, kanë provuar (tashmë edhe nga SPAK) se, pasi kanë privatizuar të ashtuquajturat Parti Politike dhe pluralizmin, bashkë me krimin e organizuar kanë vjedhur votat/ mandatet (rasti flagrant i deputetit të bandave të Shijakut); pronat e qytetarëve dhe pasuritë publike, por sot, me shumë se kurrë me parë (nga 1990), kërcënojnë seriozisht shpresat e shqiptarëve te rotacioni politik, në vlerat si dhe balancat demokratike të pushteteve.
Ndërsa në vijim gjeni konkretisht aktorët dhe faktorët krizës se pluralizmit dhe demokracisë:
A-Skuadra e pushtetit (në 12 vjet), për të cilën nuk gjej në asnjë definicion si Parti Politike (as si ideologji, as si strukturë, as si program, kurrsesi në vendimmarrje) pasi përveç kryetarit të pagabueshëm, personazhet e radhës (shumica e skalionit të parë, në burg ose në SPAK), u duhet të duartrokasin me ngazëllim për emërimet/çemërimin e presidentit, ministrave, listës së deputetëve, si dhe në çdo rast u duhet të demonstrojnë përgjërim përpara Udhëheqësit të Madh, ose pronarit të kompanisë që mbart emërtimin Partia Socialiste e Shqipërisë. Sigurisht ka pasur ndoshta 100-ra probleme, por kurrë s’ka qenë kështu para 2013! Këtë e pohojnë “nën zë” edhe disa ish-personalitete në PS, të cila/ët e kujtojnë me nostalgji kohën kur psh., Kryeministri Nano, lobonte deri për votat e anëtarëve të kryesisë etj.!
Sa për pasqyrën e shtetit të dështuar/ kapur nga korrupsioni i politikanëve dhe shtetarëve të lartë, besoj do të mjaftonin MEME-t me premtimet e vetë (sy) Madhit dhe skuadrës së tij (psh., socialistit të fundit/ ndershëm z.Braçe) në 2013: “Për të ndalur braktisjen e vendit dhe për punësimin e 300 mijë të rinjve; shëndetësinë falas dhe zero korrupsion; zero tolerancë krimit të organizuar dhe drogës; zero taksa për naftën, bukën, qumështin, vezët; zero influence politike mbi koston për kilometër të rrugëve, ndërtimin e inceneratorëve ambientalistë, koncesionet alla-sulltanatë etj.”.
Ndërsa, këtë listë dështimesh poshtëruese për skuadrën e pushtetit, e gjej aq të ngjashme sa batutën kriminale të Enverit: “Aty ku s’ka naftë/sukses, ka me siguri armiq”. Dhe kështu ndodhi, vetë zëvendësi i parajsës ekonomike dhe taksave-zero, arratiset nga vendi si banditët e Xhibudit dhe jo shtetari nr.2 i një vendi të NATO-s (!); kur ministri Shëndetësisë falas fare, ministri Rendit, njëherësh kryekomisari politik i betejës së Stalingradit/Lazaratit si dhe një listë deputetësh, kryebashkiakësh etj., që erdhën më 2013 si “skuadra e qiejve të pastër”, ose flenë pas hekurave, ose gdhihen në dyert e SPAK-ut …!
Në këtë realitet me shtet të korruptuar deri në palcë, riciklohet tallavaja bollshevike: “Fajin për të gjitha dështimet dhe korrupsionin në 12 vitet e fundit e ka armiku brendshëm, pra Gogol-Saliu”, ndërsa dalldija vijon: “Jo vetëm mandati 4, që është i sigurt, po të 6-in e ka në xhep PS”. Kjo, pasi fuqia e (mbi)Pushtetit e ka gjunjëzuar shtetin dhe administratën shtetërore në një ushtri të pathyeshme elektorale (200 mijë patronazhiste si dhe bonuse/sheqerka për 740 mijë pensionistë), sikur RSH të ishte në Afrikë.
Thënë sa më lartë, shpërdorimin e fuqisë, institucioneve, parave publike dhe administratës burokratike, si makineri elektorale për mbajtjen e pushtetit e gjej si krim të rëndë shtetëror (për t’u hetuar seriozisht nga SPAK) mbi demokracinë funksionale, balancat e pushteteve si dhe ardhmërinë euro-atlantike të Shqipërisë!
B-Opozitën zyrtare (me vulë) e gjej po ashtu bashkëpërgjegjëse (nga koka te këmbët) për të gjitha humbjet në 12 vjet, si dhe për këtë degradim të pluralizmit, demokracisë fasadë dhe shtetit të dështuar!
Ndërsa, ka zero vlerë të merremi me “luleKryetarin vulë-humbur”, i cili edhe me 7 donkishot-ministra/e pësoi humbje diskretituese më 2017 (me 43 deputetë); 52 në 2021 dhe 3 palë zgjedhje lokale, ndërsa në vend të dorëheqjes, me papërgjegjshmëri perverse i bëri “funeral poshtërues PD-së në 8 janar 2022”, si dhe “vijon të delirojë me kalërimin mbi max.7×7 egocentrikë të sëmurë të vetëquajtur euroatlantikas”!
Gjithsesi: “Mjaft është mjaft”! Kurrkush nuk mundet të bëjë triumfalin dhe të krenohet për këtë degradim të opozitarizmit. Kështu, për të djathtën, ulëret edhe më fort mesazhi atëror i Mit’hat Bej Frashërit: “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftërat, sapo të kenë përfunduar betejat mes vedit”!
Duke e gjetur aktual këtë mesazh, u bëj thirrje arsyeve fisnike, të ndalin luftën për kryelistën e humbjes turpëruese të radhës, por t’u përulemi jo vetëm demokratë/eve qëndrestarë, por edhe mbarë shqiptarëve për emergjencën kombëtare që ka rikthimi i pluralizmit, demokracisë funksionale, balancat kushtetuese si dhe rotacioni demokratik i pushteteve në RSH, në maj 2025.
C-Do të lutesha dhe uroja shumë të isha gabim, por përpjekjet për të krijuar një pol/ mundësi të tretë, fatkeqësisht “do të mbetet në tentative”, me zero ose një numër pa peshë për të realizuar rotacionin e elitave/pronarët politike edhe të tranzicionit tejzgjatur për sa kohë që bashkimi mbetet një mision i pamundur i idealistëve, egocentrikëve, delireve dhe mllefeve primitive.
Nga ana tjetër, mbas 34 vitesh (1990-2024), kryetarët e pavdekshëm të mbi 80 të ashtuquajtura parti politike, përfshi psh., të vetëshpallurit e boshtit krye-euroatlantikas, z. Basha, z.Gjuzi, z.Ngjela, z.Qorri etj., “bëjnë sikur kanë anëtarë, forume, ide-gjeniale, programe-shpëtimi etj.”, praktikisht kanë vetëm një grusht njerëzish që firojnë ditën e zgjedhjeve, pra zero peshë për të sfiduar regjimin autoritar të Tiranës.
Në shtesë, falënderoj dhjetëra mijëra kolegë/ushtarakë (brenda dhe jashtë vendit), intelektualë të shqetësuar, patriotë të përkushtuar, si dhe qytetarë të zakonshëm në të gjithë hapësirën mbarë-kombëtare, për mesazhet, konsideratat, inkurajimin si dhe mbështetjen që më keni frymëzuar për përkushtimin tim politik në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Duke rikonfirmuar këtë, që në krye të herës më duhet të garantoj se nuk kam dalë në këtë betejë për t’u punësuar, as për t’u emëruar, por për të luftuar dhe kontribuar me përgjegjshmëri, Përulësi dhe Integritet në këtë betejë jetike për rikthimin e pluralizmit, demokracisë si dhe shpresës për ardhmërinë euroatlantike të kombit tonë të bekuar.
Me këtë rast, iu bëj thirrje vëllazërore bashkëqytetarëve (sigurisht edhe emigrantëve), që aspiratat e 1990 për Shqipërinë demokratike si gjithë Europa të mos i lëmë më në dorë të riciklimit të politikanëve kusarë dhe sekserëve të gjithë-pushteteve që kanë privatizuar partitë politike, pluralizmin dhe pronat publike, që kanë përmjerrë mbi balancat kushtetuese si dhe sundojnë shqiptarët edhe në 35 vitet e fundit.
* Ekspert për SK, Rajonin dhe USA/NATO,
Zv.President i Këshillit të Atlantikut; si dhe
ish:
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/
ShShPFA,
Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.