Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se primaret për kandidat për deputet do të jenë të hapura për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
Në përgjigje të pyetjeve të ndjekësve në rrjetet sociale, ish kryeministri tha se po bëhet gjithçka që vota e diasporës të jetë një proces transparent.
Berisha po ashtu i bëri thirrje diasporës që të regjistrohen për të votuar, pasi vota e tyre mund te firmosë rotacionin.
“Ne po bëjmë gjithçka për një proces transparent për votën e diasporës. Janë vendosur mekanizmat e kontrollit të dyanshëm në të gjitha etapat e numërimit të votave, por me këtë rast unë ftoj cdo qytetar që të ushtrojë të drejtën e votës dhe të ndihet krenar se me votën e tyre kësaj radhe ka të gjithë mundësinë të firmosë rotacionin. Primaret do jenë të hapura për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit”, tha Berisha.
Berisha foli edhe për programin e PD për zgjedhjet e ardhshme, për të cilën tha se do jetë shumë e suksesshme dhe në interes të shqiptarëve.
“Gjatë këtyre javëve, ne kemi shpalosur programin e 100 ditëve të para, me të cilin ne synojmë të arrijmë një ndryshim shumë të rëndësishëm të gjendjes ekonomike të shtresave në nevojë si vendosja e minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar, për çdo pensionist që merr nën 200 euro, për çdo të papunë, për çdo qytetar në ndihmë ekonomike.
Të vendosim rrogën minimale 500 euro, rrogën mesatare 1200 euro. Të vendosim kartën e konsumatorit për të gjithë shtresat në nevojë, pensionistët, rrogëulëtit, kartë e cila është e barabartë me tre pensione, duke rimbursuar kështu TVSH-në e të gjitha gjërave bazë që blejnë pensionistët.
Do të rishqyrtohet në themel çmimi i naftës, jo për të kontrolluar çmimin, ne nuk kontrollojmë çmimin, por ju e dini se Edi Rama u merr qytetarëve shqiptarë 1.1 euro për çdo litër naftë dhe kjo është një nga taksat më të larta në botë.
Taksa ndër më të lartat në botë dhe kontrabanda e rreth 40 përqind të naftës që konsumohet në Shqipëri, bën që ju të paguani një nga çmimet më të larta në botë.
Kjo situatë do marrë fund, çmimi i naftës nuk do luhatet kurrë më shumë se 10 përqind më pak ose më shumë se çmimi në Kosovë dhe Maqedoni, që në mënyrë konstante është 30-50 përqind më i ulët.
Energjia elektrike do njohë edhe ajo ndryshime thelbësore në çmimin e saj. Fashoja 300 kilovatë do rikthehet jo në 7.7 lekë, por në 7 lekë. Për biznesin, do rikthehet nga 18 në 6 lekë. Mbi fashon 300 kilovatë do vendoset një tarifë mbi 10 lekë. Pra, do ketë ndryshime të mëdha në çmimin e energjisë. Ndryshime do njohë edhe çmimi i ujit. Këto janë paketa e emergjencës“, tha Berisha.