Kolegji i Posaçem i Apelimit ka lënë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Vlorës Ken Dhima
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga gjyqtaret Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 74/2021, datë 26.11.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ken Dhima kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 428, datë 29.07.2021.
‘Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 428, datë 29.07.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Ken Dhima. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm’, thuhet në njoftim.
KPK e shkarkoi Ken Dhimën më 29 korrik, 2021 për probleme në kriterin e pasurisë. Dhima e filloi karrierën në vitin 2003 në Gjykatë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Në vitin 2004 ai u transferua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe në 2013-ën u emërua në Gjykatën Administrative Vlorë.