Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve u përfshi nga debatet mes PD dhe PS. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka propozuar një nismë e cila parashikon që deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur aplikacionet e krimit. Bardhi u kundërshtua nga Çuçi i cili tha se një gjë e tillë kërkon ndërhyrje në Kodin Penal, ndërsa shtoi se aplikacionet nuk përmenden në ligj.
Duke iu drejtuar Bardhit ai i tha këtij të fundit se ndryshon deklaratat herë pas here, ndërsa solli në vëmendje qëndrimet e demokratit për liderin e opozitës, Sali Berisha. “Je mësuar, një gjë e deklaron sot, e mohon nesër. S’duhet të ishe këtu. Duhet të kishe dhënë dorëheqjen se Sali Berisha u bë kryetar”, tha Çuçi.
Ndërsa Bardhi iu përgjigj Çuçit se mbledhjen e Këshillit tha se mandati i Xhaçkës do dërgohej në GJK, por pasdite ndryshoi qëndrim. “Të mori Edi Rama në telefon dhe në seancë the nuk do ta çojmë. E keni në procesverbal. Ne iu kërkuam të mos e thoni, ju e thatë”, vijoi ai.
Debati në Këshillin e Mandateve
Bledi Çuçi: GJK e ka thënë shumë qartë, çdo referim dhe prekje e kodit penal duhet miratuar me 3/5.
Gazment Bardhi: kur e ka thënë GJK?
Bledi Çuçi: Je jurist, nëse mohon këtë, mohon shkollën që ke bërë. Grise diplomën dhe vazhdo… Mos më ndërpre… Deklarimi i të dhënave të rreme përbën vepër penale. Kjo është përcaktim i pastër penal.
Bledi Çuçi: Je mësuar, një gjë e deklaron sot, e mohon nesër. S’duhet të ishe këtu. Duhet të kishe dhënë dorëheqjen se Sali Berisha u bë kryetar.
Gazment Bardhi: Po ç’punë ke ti se çfarë kam thënë unë për Sali Berishën?
Bledi Çuçi: Është pjesa e integritetit. Ky është një nen që i referohet integritetit të deputetit. Çështjet që lidhen me intetegritetin, referohen në ligjin për integritetin e funksionarit dhe është një ligj që rregullohet me 3/5.
Bledi Çuçi: Aplikacionet nuk përmenden në ligj. Nesër mund të dalë një aplikacion tjetër, do mblidhemi sërish ne? Ta shtyjmë këtë ccështje.
Gazment Bardhi: Për këto ndryshimet e deklaratave, në këtë Këshill erdhe dhe the do ta çojmë Olta Xhaçkën në GJK, pasdite të mori Edi Rama në telefon dhe në seancë the nuk do ta çojmë. E keni në procesverbal. Ne iu kërkuam të mos e thoni, ju e thatë.
Gazment Bardhi: Keni siklet nga SkyEcc dhe EncroChat. Ke qenë ministër i Brendshëm. E turpshme të mos dish metodat si ka komunikuar krimi. Je shef personeli ti që ruan pastrueset kur hyjnë e kur dalin? Unë s’kam përdorur aplikacion, ça implikimi ligjor kam unë? Nuk po akuzojmë. Ka deputetë që kanë përdorur këtë sistem për të komunikuar me krimin e organizuar, janë 10-20 të mbajnë përgjegjësi, 120 të tjerët s’kanë pse të mbajnë baltën e këtyre individëve. Po i fshihni opinionit publik se kush është ajo pakicë që ka përdorur aplikacionet e krimit të organizuar.
Arben Pëllumbi: Zoti Bardhi, ke ndonjë informacion që unë kam përdorur ndonjë nga këto? Nëse jo, atëherë mos më ndërhyj në argument.