Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, në një takim të rastësishëm me komunitetin shqiptar në Castefidardo në Ankona të Italisë, u tha bashkatdhetarëve se sot është shumë e lehtë të votosh, por për ta bërë këtë duhet të regjistrohen.
“Deri tani demokracia ishte e çalë sepse gjysma e popullit nuk kishte mundësi, ose s’keni votuar, ose i keni hipur avionit për të votuar. Ndërsa tani është shumë e thjeshtë, por mund të votosh vetëm nëse regjistrohesh. Ftesa ime është që të votoni,” deklaroi Balla para anëtarëve të komunitetit shqiptar prej 1 mijë personash që jetojnë në Kastelfidardo.
Sipas Ballës, më në fund, pas 33 vitesh, Shqipëria po lan një borxh të madh që ka ndaj diasporës e cila ka mbajtur në këmbë ekonominë shqiptare.
“Edhe tani që një pjesë e madhe duket se është sistemuar, pothuajse kanë ndërtuar jetën e tyre këtu, dërgesat e parave të emigracionit, pra të diasporës në Shqipëri, janë rritur. Vitin 2024 e mbyllëm me 1 miliard euro dërgesa të diasporës. Dhe kjo është një ndihmë e madhe. Jemi pothuaj barazim, jemi 1.8 apo 1.9 milionë në Shqipëri dhe 1.7 milionë në diasporë, numri më i madh është në Itali, e dyta vjen Greqia. Dhe nga regjistrimet duket qartë se Italia është në krye,” tha Balla, në ndalesën e parë të një turneu disaditor mes shqiptarëve të Italisë.
Balla ka ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për votën e diasporës, “por edhe për të rikujtuar ofertën e Partisë Socialiste dhe përse duhet ta votojnë për një mandat të katërt Edi Ramën”.