Zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri ka filluar të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë të huaj, duke ndikuar dhe në rritjen e kontributit të këtij sektori në industrinë e turizmit në vend. Sofra “Tragjasi i Vjetër”, rreth 8 kilometra larg nga Orikumi është një prej investimeve më të fundit familjare që është kthyer në një oaz paqeje dhe qetësie në natyrën gjelbër të maleve të Vlorës.
Sofo dhe Dhurata, të cilët administrojnë këtë agroturizëm që ofron ushqimin tradicional të zonës ishin sot të ftuar të kryeministrit Edi Rama në episodin 2 të sezonit 4 të Podkastit “Flasim”, të emërtuar “Stani i lumturisë”. Të vendosur në një terren malor, agroturizmi i tyre ofron një prekje të jetesës së vjetër baritore për këdo që zgjedh ta vizitojë.
Me një stan me mbi 250 krerë dhi dhe lopë të cilat rriten në natyrën e egër të zonës, Dhurata tregon se vizitorët, kryesisht të huaj, bëhen pjesë e përditshmërisë së tyre, madje edhe duke u kujdesur për kafshët. Ndërkohë që bujtinat janë të ndërtuara me materiale ekologjike, kashtë dhe dru, duke e bërë të prekshme çdo detaj të jetesës në mal, ndërsa restoranti i tyre ofron ushqime bio nga produktet e tyre blegtorale.
ndërsa vlerësoi nismën e kësaj familjeje për të investuar në Tragjas të Vjetër, Kryeministri Rama i ftoi ata të aplikojnë për të përfituar nga programi “Paketa e Maleve”, për të zgjeruar më tej aktivitetin e tyre.
“Agroturizmi nuk ka taksa. TVSH e kemi bërë për agroturizmin 6%. Ne tani kemi një program të ri që do ta shpallim së shpejti që do të japim mbështetje financiare për këto lloj aktivitetesh. Ju e merrni menjëherë atë mbështetje financiare. Është një mbështetje e kombinuar kredi e butë me grante”, tha Rama.