Një 28-vjeçar nga Afganistani është arrestuar pas një sulmi me thikë në një park në qytetin gjerman të Aschaffenburg të mërkurën, ku dy persona u vranë duke përfshirë një fëmijë të vogël. I dyshuari u ndalua në vendin e ngjarjes në parkun Schoental, një kopsht i stilit anglez në qytetin bavarez ku sulmi ndodhi rreth orës 11:45 të mëngjesit lokal.
Një 41-vjeçar dhe një djalë dy-vjeçar mbetën të plagosur për vdekje, raportuan autoritetet gjermane në një postim në platformën e rrjeteve sociale X. Dy të plagosur rëndë po marrin trajtim spitalor. Sipas policisë nuk kishte të dhëna për të dyshuar të tjerë dhe nuk kishte rrezik për publikun.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka reaguar përmes një deklarate për sulmin e ndodhur. “Jam shumë i tronditur nga ky sulm. Ky është një akt terrorist dhe qeveria jonë do të marrë masa për të parandaluar këto ngjarje”. tha Scholz
Goditja me thikë shton një varg sulmesh të dhunshme në Gjermani që kanë ngritur shqetësime për sigurinë dhe kanë nxitur tensionet për migracionin përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 shkurtit. Një mjek saudit u arrestua pas një sulmi me makinë në një treg Krishtlindjesh në qytetin e Magdeburgut më 20 dhjetor, në të cilin u vranë gjashtë persona dhe rreth 200 u plagosën.